Skandal/Prokurori shqiptar kërkon ligjet e sheriatit (VIDEO)
Ligjëruesi në videon e mëposhtme nuk është imam. Ai është prokurori Basri Morina. Çuditërisht Morina nuk flet për aplikimin e sistemit të drejtësisë në vend, por për “Drejtësinë Islame”, që përkon me të drejtën e Sheriatit. Përkrah tij, ai që i thur lavde prokurorit është imami nga Prizreni, Mazllam Mazllami, i dyshuar se ka nxitur terrorizëm dhe thirrje për bashkim në luftërat e jashtme.
Mund t’ju duket si një ligjëratë e ndonjë imami. Citon ajete Kur’anore, flet për drejtësinë islame dhe bën lutje në arabisht. Por, ai është prokuror, dikur i Prokurorisë Speciale të Kosovës e aktualisht i angazhuar në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.
Madje në mesin e atyre që po e dëgjojnë ligjëratën e Prokurorit Basri Morina ka edhe persona që më parë janë dyshuar e arrestuar për terrorizëm, për cka ai tani po hetohet me urdhër të Kryeprokurorit të shtetit.
Në videon e zbuluar nga Gazeta Express, ai që ia jep fjalën Prokurorit, Basri Morina është imami prizrenas Mazllam Mazllami, i cili në shtator të vitit 2014 ishte arrestuar bashkë me Enes Gogën, Ekrem Avdiun, Enis Ramën, Fuad Ramiqin, etj., mbi dyshimet se kanë nxitur terrorizëm në vend dhe nëpërmjet predikimeve nëpër xhami kanë përcjellë mesazhe te persona të ndryshëm që t’iu bashkëngjiten grupeve terroriste “Al Nussra” e “ISIS”.
Më e papritura është pjesa ku Prokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës në vend se të bëjë thirrje për aplikimin e sistemit të drejtësisë sipas Ligjeve të Kosovës, ai promovon “Sheriatin”. Aq larg shkon, sa që tregon se në një rast ka kërkuar që një të pandehuri t’i pritet dora si dënim, njëjtë sipas ligjeve fetare islame (Video, min. 16:00).
“Qu bire cungun qu bire sakicën”, tregon vetë Morina të ketë kërkuar nga ndihmësi i tij, derisa pranë kishte një të akuzuar për vjedhje duke quajtur spiun njërin nga personat tjerë të pranishëm i cili, sipas tij, edhe kishte reaguar ndaj kësaj thirrje. “Ai shpijuni që ishte në zyre, nga aty asht’ qu – ka thanë haxhia po gjykon me sheriat”, tregon në fund të ligjërimit të tij, prokurori Morina i cili e ka të përmbushur edhe obligimin fetar të Haxhillëkut.
Për këtë ligjëratë dhe pjesëmarrje në të tilla organizime të Basri Morinës, Prokuroria e Shtetit nuk ka qenë e informuar më parë, derisa konfirmojnë se menjëherë janë nisur procedurat hetimore. “Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ka pranuar këtë informacion vetëm përmes pyetjeve të pranuara nga ju. Menjëherë pas pranimit të kësaj informate Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit e ka njoftuar Zyrën e Prokurorit Disiplinor, si zyrë kompetente për të nisur hetimet, me qëllim të vlerësimit se a ka bërë shkelje apo jo prokurori në fjalë, i cili ka ligjëruar për “Drejtësinë Islame”.”, ka pohuar për Gazeten Express, zëdhënësja Liridona Kozmaqi.
Kozmaqi përmes postës elektronike ka thënë se afërsia e Prokurorit Morina me imamë dhe persona të dyshuar për terrorizëm assesi nuk mund të ndikojë në trajtimin e këtyre rasteve, pasi rastet e tilla janë kompetencë e Prokurorisë Speciale, pjesë e të cilës nuk është më Basri Morina.
“Ky prokuror, nuk mund ta ketë asnjë ndikim në trajtimin e rasteve që ndërlidhen me terrorizmin dhe i njëjti nuk e ka hetuar asnjë rast që ndërlidhet me terrorizmin”, ka shtuar Kozmaqi. Prokuroi Basri Morina, gjatë kohës sa ishte Prokuror Special, mbahet mend se gjatë një periudhe pesëvjeçare kishte ngritur vetëm një aktakuzë e që ishte për armëmbajtje pa leje. Derisa gjatë asaj periudhe (2008-2012) merrte pagë gati dy mijë euro në muaj për punën që do të duhej ta bënte si prokuror. /GazetaExpress/.
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?time_continue=18&v=LSmrmjgdJ2s” width=”560″ height=”315″]