Skemë mashtrimi për azil, serbi lë në mal 6 shqiptarë

“Paguaj 150 euro për të shkuar në Suboticë, e atje pastaj shohim. Me pak para ju dërgoj prej aty edhe në Seged të Hungarisë”. Kjo ishte motoja me të cilën një qytetar serb nga Serbia ka mashtruar 6 shqiptarë të komunës së Mitrovicës, bëjnë të ditur burime të Kosovapress-it.

Ngjarja ka ndodhur të premten mbrëma rreth orës 22:00.

“Një qytetar serb nga Serbia me kombibusin e tij me targa të qytetit të Rashkës ka marr 6 shqiptarë tek vendi ‘Tre rrokaqiejt’ në veri të Mitrovicës me destinacion Suboticën dhe është nisur në drejtim të kufirit Bërnjak. Ai para nisjes ua ka marr nga 150 euro, ndërsa pas arritjes afër Zubin Potokut, ka shmangur disa metra nga rruga kryesore në drejtim të malit. Më pastaj, ai ju ka thënë pasagjerëve se duhet ta ndërrojë automjetin, duke i zbritu ata, dhe është zhdukur, ndërsa pasagjerët kanë mbetur në mal duke pritur për disa orë”, kanë thënë burimet.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka konfirmuar ngjarjen për KosovaPress, duke thënë se viktimat janë intervistuar mëngjesin e sotëm në stacionin policor në jug të Mitrovicës.

Sipas tij, rasti është inicuar si kontrabandim me emigrantë dhe hetimet janë në proces, ndërsa nuk ka dhënë detaje shtesë. 

SHKARKO APP