Skënder Hyseni: Ikja e kosovarëve, fushatë e kriminelëve
Ministri Kosovar i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, theskoi në një intervistë televizive se “organizatat kriminale të trafikimit, me një organizim shumë të mirë, janë fajtorët kryesorë të ikjes së qytetarëve të Kosovës në mënyrë masive”.
Hyseni pranon se situata është alarmante, por sipas tij, papunësia dhe problemet e tjera të qytetarëve po shfrytëzohen nga trafikantët.
Hyseni tha në televizionin publik kosovar se rritja e numrit të personave që po ikin nga Kosova është një fushatë e orkestruar nga kriminelët në të dy anët e kufirit Kosovë-Serbi.
“Po gjithsesi kemi të bëjmë edhe me një fushatë të orkestruar mirë kryesisht nga kriminelët e organizuar në të dy anët e kufirit Kosovë-Serbi. Gjithsesi nga kriminelët e organizuar në Serbi dhe pashmangshëm edhe nga ata që janë të kyçur në këtë proces të paligjshëm të lehtësimit të kalimit të kufirit Serbi-Hungari për qytetarët e Kosovës”, tha Hyseni në emisionin ‘Debat’ në RTK.
Ai i bëri thirrje qytetarëve mos të largohen nga vendi, pasi të gjithë do të rikthehen.
Sipas medias, shumica e kompanive që po transportojnë qytetarët e Kosovës në drejtim të Serbisë, janë dënuar mbrëmë nga autoritetet përgjegjëse.
“Secili nga ne që kemi pasur më shumë se një autobus jemi dënuar me 1 mijë euro gjobë. Arsyetimi ka qenë se ne nuk kemi të drejtë që të nisim më shumë se një autobus për natë, pa pasur edhe leje shtesë për numër më të madh të nisjeve”, ka bërë të ditur një nga pronarët e autobusëve.
Sipas tij, nisjet e rregullta janë kryer vetëm në orën 9:30, ku në drejtim të Serbisë kanë udhëtuar mbi 250 persona.
“Nisjet e mëvonshme janë bllokuar nga policia dhe asnjë nga ne s’ka mundur të nis më shumë se nga një autobus. Kështu që gjysma e udhëtarëve kanë mbetur në tokë”, ka sqaruar burimi i “Tribuna”.