Sot, 16 vjet nga fillimi i bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë
Sot mbushen 16 vjet nga fillimi i sulmeve të NATO-s kundër Serbisë, të cilat kishin nisur më 24 mars 1999 dhe kanë zgjatur 11 javë, respektivisht 78 ditë.
KosovaPress kujton se bombardimet kanë përfunduar me miratimin e rezolutës 1244 të KS. Si rezultat ka pasuar largimi i forcave serbe nga Kosova dhe hyrja e trupave të NATO-s, dhe fill më pas, kthimi i mbi 800 mijë refugjatëve shqiptarë nga Kosova, të dëbuar më parë me dhunë nga ushtria serbe.
Në kuadër të KFOR-it në Kosovë në vitin 1999 kishin hyrë 37 mijë e 200 ushtarë nga 37 vende. Fushata 78 ditore e NATO-s arriti rezultate të shumta politike, diplomatike dhe ushtarake.
Ndërhyrja e NATOS-s do të kujtohet sot edhe në Gllogjan e Deçan në organizimin për Epopenë e Dukagjinit. Për përvjetorin e kësaj ndërhyrje do të organizohet edhe një manifestim kulturor në Ferizaj.