Sot 18 vjet nga rënia e Adem Jasharit, Thaçi: Ditë uniteti
Presidenti kosovar, Hashim Thaçi ka bërë sot homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”në Prekaz, në kuadrin e 18-vjetorit së rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij.
Aty ai tha se është koha për të marrë energji të reja në konsolidimin dhe forcimin e shtetit, si edhe për ta anëtarësuar Kosovën në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Ai tha gjithashtu se sot është ngjarja më kulmore, pasi shënon Epopenë e UÇK-së, sakrificën legjendare të komandantit Adem Jashari dhe familjes Jashari.
“Sot është dita e unitetit dhe bashkimit qytetarëve pa shikuar dallime partiake, fetare, etnike, për t’u bashkuar edhe njëherë në përpjekjet tona për të fuqizuar edhe më tepër vendin tonë”, ka thënë Thaçi.
Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli e ka kujtuar 18-vjetorin e rënies së Adem Jasharit dhe familjes së tij.
Ai ka thënë se pikërisht më 5 mars 1998, ndodhi sakrifica e pashoqe për liri, aty ku ndodhi fillimi i fundit të Serbisë në Kosovë.