Spanja refuzon vizat për një delegacion të Kosovës

Ministria e Punëve të Jashtme e Spanjës i ka refuzuar vizat një delegacioni nga Policia e Kosovës, i cili këtë javë është dashur të jetë në Barcelonë.

Spanja është një nga vendet evropiane që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe si rrjedhojë nuk i njeh as pasaportat e saj.

Siç raporton “El Món”, delegacioni i Policisë së Kosovës është dashur të merrte pjesë në konferencën “Kongresi Ndërkombëtar i Policeve Femra”, në Barcelonë që është mbajtur nga e diela në të martën, qëllimi i të cilit ka qenë forcimi i rolit të femrave në forca të ndryshme policore dhe njohja më e madhe e detyrave të tyre.

Nga ky Kongres, ftesë ka marrë një Kolonele nga Policia e Kosovës, për të prezantuar të arriturat në vend.

Mirëpo, Ministria e Jashtme e Spanjës, për shkak të pasaportës së Kosovës, ka refuzuar kërkesën për t’u pajisur me vizë. Refuzimi është bërë nga Ambasada e Spanjës në Maqedoni që është më e afërta e Kosovës, transmeton Koha.net.

Policia e Kosovës ka treguar se Ambasada nuk ka dashur që arsyetimin për refuzim ta shkruajë në letër, por e ka dhënë vetëm gojarisht.

Mediet spanjolle shkruajnë se, edhe pse pasaportat e Kosovës përmbushin kushtet për të marrë viza Schengen, një gjë e tillë Policisë së Kosovës i është refuzuar nga Spanja.

SHKARKO APP