Sulmohet djali i Nenad Rashiç, politikani serb drejton gishtin nga Beogradi, reagon Osmani dhe Kurti
Djali i politikanit lokal serb në Kosovë, Nenad Rashiç, është sulmuar dhe rrahur nga një grup prej dhjetëra personash në afërsi të shkollës ku vijon mësimet dhe ka pësuar plagë në kokë.
Ai është shprehur i bindur se sulmi ka të bëjë me veprimtarinë e tij politike që bie ndesh me atë të Listës Serbe, subjektit politik që mbështetet nga Beogradi.
Policia e Kosovës tha se ka ndaluar tetë persona në fshatin Llapnasellë afër Prishtinës, ndërsa po kryen hetime rreth motiveve dhe rrethanave të sulmit.
Sulmi u dënua në nga ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila e cilësoi atë si “akt kundër demokracisë dhe lirisë së individit”, ndërsa u bëri thirrje forcave të rendit që të vënë sa më parë para drejtësisë autorët e sulmit.
“Është tashmë e qartë që sulmi ndaj tij është në vazhdën e kërcënimeve të shumta e ndërhyrjeve ilegale të Serbisë në Kosovë, që kanë për qëllim frikësimin e qytetarëve serbë”, thuhet në reagimin e zonjës Osmani.
Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti shprehu keqardhjen për sulmin.
“Duket se ky krim banditesk ndaj Nikolla Rashiqit është i organizuar dhe ka të bëjë me prindin e tij që nuk u thye e as s’u nënshtrua ndaj trysnisë e kërcënimeve të Serbisë. Me gjasë, meqë nuk e frikësuan dot Nenad Rashiqin, ia rrahën të birin Nikollën. Në qeverinë tonë të re do të punojmë që të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim përkatësie kombëtare të jetojnë të sigurt”, shkroi zoti Kurti në rrjetet sociale.
Sulmi u dënua edhe nga Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, duke bërë thirrje për ndriçimin sa më të shpejtë të tij.
“Lajmi për sulmin ndaj djalit të Nenad Rashiçit është i neveritshëm çfarëdo qoftë motivi. Ky lloj i dhunës, qoftë fizike apo verbale, është i papranueshëm kundër kujtdo, por është veçanërisht më tronditëse që i ka ndodhur një të riu. Kërkoj nga Policia e Kosovës që të hetojë incidentin dhe të gjejë ata që kanë nxitur dhe kanë marrë pjesë në të”, shkroi ai.