Sulmohet godina e Kuvendit të Kosovës
Policia e Kosovës konfirmon se godina e Kuvendit është sulmuar me një mjet shpërthyes nga distanca, i cili dyshohet se ka qenë predhë antitank. Shpërthimi i fuqishëm ka ndodhur pak pas orës 23:00 të 5 gushtit 2016.
Një numër i madh i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës bllokuan rrugën te Kuvendi i Kosovës. Nuk ka të lënduar vetëm dëme.
Policia ka gjetur një motoçikletë të djegur në periferi të Prishtinës dhe mendohet se është përdorur nga autorët e krimit.
Ndërkohë ekziston edhe një version tjetër, me të cilin u sulmua Kuvendi. Burime zyrtare i thanë Radios Evropa e Lirë, se sulmi u bë me mortajë dore, në lëvizje me motoçikletë nga dy persona, të cilët braktisën mjetin transportues duke e djegur dhe ikën në këmbë në drejtim të panjohur.
Sipas Policisë së Kosovës sulmi është bërë me një mjet të dyshuar shpërthyes.
“Me 04.08.2016 rreth orës 23:00, në ndërtesën e Kuvendit të Kosoves, në rrugën Agim Ramadani në Prishtinë, nga distanca ka ndodhur një sulm me një mjet të dyshuar shpërthyes. Si pasojë janë shkaktuar dëme materiale, por nuk raportohet për të lënduar në njerëz. Policia e Kosovës me njesitet relevante të saj menjëherë ka reaguar në lokacion dhe veprime intensive operative dhe hetimore janë duke u kryer për të identifikuar të dyshuarit e involvuar në rast”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ora 00: 20 Deshmia e gazetarit per Ora News
Një gazetar nga Kosova i cili ndodhet pranë vendit të ngjarjes i tha Ora News se ka dyshime se mund të jetë goditur me antitank tek pjesa se pasme e Kuvendit afër garazhave. Një version i tillë jepet dhe nga gazeta Express.
“Policia konfirmon se nuk ka asnjë të lënduar por një pjesë e fasadës, murit të godinës është dëmtuar si dhe janë thyer xhamat e dritareve” informon ai për Ora News
Sipas raportimeve të Klan Kosova, hapësira e objektit të Kuvendit të Kosovës, është sulmuar nga një predhë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë speciale të Policisë së Kosovës që kanë rrethuar vendin, e po ashtu edhe zjarrfikësit dhe auto-ambulancat.
Gjithashtu janë edhe ushtarë të KFOR-it.
Dyshime per dy persona- “Ka dyshime se sulmi është kryer nga dy persona, dhe është gjetur në periferi të Prishtinës afër parkut Germia një motoçikletë qe mendohet se është përdorur nga autorët” raportoi gazetari Rilind Gërvalla për Ora News
Godina e parlamentit ndodhet ngjitur me godinën e qeverisë në një rrugë tepër të mbipopulluar në qendër të Prishtinës.
Policia ka zgjeruar perimetrin e sigurisë ndërsa do të verifikohen dhe kamerat e sigurisë të cilat ndodhen të instaluara në këtë zonë
Gjashtë muaj më parë godina e Kuvendit të Kosovës u sulmua me koktej molotovi, dhe as atëherë nuk u zbuluan motivet dhe as autorët e sulmit.