Sulmohet Konsullata Turke në Prizren, arrestohen 5 persona

Konsullata e Përgjithshme e Turqisë në Prizren është sulmuar të hënën në orët e hershme të mëngjesit me lëndë djegëse, të cilat dyshohen të jenë koktej molotovi.

Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Express, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha.

“Po rreth orës 4:00 të mëngjesit të sotëm objekti i Konsullatës së Turqisë në Prizren është sulmuar, ku janë shkaktuar dëme të vogla materiale dhe nuk ka persona të lënduar. 5 persona janë daluar si dhe të njëjtëve i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 48 orëve. Hetuesit e kanë dalë në vendngjarje, kanë grumbulluar prova dhe ekspertiza do të përcaktojë se me ç ka është sulmuar ky objekt”, ka thënë Hoxha.

Sipas tij, hetuesit policorë të Drejtorisë rajonale të Policisë së Kosovës dhe Prokuroria kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme lidhur me hetimin e rastit dhe si pasojë e tyre tashmë janë ndaluar pesë persona të dyshimtë për këtë rast.

Ndërkohë nuk dihet nëse sulmi në këtë konsulatë ka të bëjë me paknaqësitë të qytetarëve rreth vendosjes së flamurit turk përkrah atij kombëtar. I njejti flamur, ai turk,  u largua sot nga shtiza nga ana e disa qytetarëve.

Për këtë ngjarje ka reaguar dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës. Në një reagim për mediat, MPJ deklaron se” dënon ashpër sulmin ndaj Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Turqisë në Prizren duke e cilësuar një akt vandal nga persona të papërgjegjshëm që janë kundër një shteti demokratik e shumëetnik si Kosova.

Ministria e Punëve të Jashtme përgëzon Policinë e Kosovës për punën profesionale në arrestimin e personave të papërgjegjshëm të cilët e kanë kryer këtë akt të shëmtuar. MPJ kërkon që autorët të vihen para drejtësisë.

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj ka komunikuar me Ambasadoren e Turqisë në Kosovë ku e ka dënuar ashpër aktin si të tillë.

Marrëdhëniet e Kosovës me Turqinë janë të shkëlqyera dhe si të tilla ato nuk do të pengohen e as dëmtohen nga kurrfarë akti vandal e të izoluar që nuk ja duan të mirën Kosovës dhe marrdhënieve miqësore me Turqinë”.

SHKARKO APP