Tahiri: Datën për barrikadën e di Brukseli

E paprekur vazhdon të qëndrojë edhe sot, ndonëse tashmë ekziston një marrëveshje tripalëshe BE-Prishtinë-Beograd.

Në takimin e 22 korrikut në Bruksel palët ishin pajtuar që të gjitha pengesat mbi urë dhe përreth saj të largohen sa më shpejtë që është e mundur, për ta mundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe automjeteve.

Bazuar në marrëveshjen e arritur, Bashkimi Europian si bartës i këtij plani është dashur të dalë me një vlerësim teknik për gjendje e urës qysh në fillim të muajit shtator. Megjithatë, për këtë Qeveria e Kosovës është informuar vetëm të hënën.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri për Politiko.net e shpjegon rrjedhën e këtij procesi.

Thotë se të hënën i kanë dërguar një letër Zyrës së BE’së në Prishtinë, për të sqaruar çështjen e vlerësimit teknik.

Përfaqësuesit e Bashkimit Europian kanë kthyer përgjigjen. Sipas Tahirit, ata kanë bërë një vlerësim teknik dhe se për hapat e mëtutjeshëm për revitalizimin urës nevojiten konsulta shtesë me Qeverinë e Kosovës.

“Zyra e BE’së ka dërguar dje një përgjigje tek kabineti im dhe në bazë të shkresës ata kanë bërë një vlerësim teknik, ku na kanë njoftuar që hapat e mëtejmë që kanë të bëjnë me revitalizimin dhe rekonstruimin kërkojnë një konsultë shtesë me Qeverinë e Republikës së Kosovës, për të vlerësuar vullnetin politik se kur do të mendohej se është koha për të nisur këtë proces”.

“Natyrisht ne do t’i japim një përgjigje kësaj shkrese, e cila ka mbërritur në adresën tonë”.

“Përgjigjja ime do të pasojë, pasi të kryej konsultat me ministritë relevante që janë kompetente në këto çështje, siç është Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Planifikimit Hapësinor dhe Ministria e Rendit”.

“Do të marr këshillimet e para profesionale dhe këshillimet e natyrës së sigurisë, për të vazhduar me një përgjigje tek Bashkimi Europian”, ka thënë Tahiri.

Por, a do të largohet barrikada gjatë këtij viti?

Zëvendëskryeministrja Tahiri e drejton gishtin kah BE. Thotë se ata duhet të pyeten për datën.

“Siç e dini, në marrëveshjen e Brukselit, kompetencat për t’i hequr barrikadat dhe për ta bërë rekonstruimin e urës i kanë kaluar Bashkimit Europian. Unë do t’ju këshilloja që ta pyesni Zyrën e BE’së lidhur me datën”.

“Natyrisht, ne si Qeveri e Kosovës kërkojmë që sa më shpejtë të ndodhë, sepse këto barrikadat janë bërë burime të tensioneve. Dhe nuk dëshirojmë që të përsëriten tensionet si gjatë muajve të verës”, ka deklaruar Edita Tahiri.

Barrikada me zhavorr ishte vendosur në vitin 2011 në shenjë pakënaqësie ndaj autoriteteve të Prishtinës, pas aksionit policor për të marrë nën kontroll pikat kufitare Bërnjak dhe Jarinje.

Pengesa që po mbushte vitin e tretë mbi Urën e Lumit Ibër u largua me ekskavatorë në orët e hershme të mëngjesit të 18 qershorit.

Por, entuziazmi i qytetarëve për të lëvizur lirshëm u shua në orët e pasditës, kur dhjetëra serbë në praninë e Kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakic dhe Ministrit pa Portofol në Qeverinë e Serbisë, Marko Djruic, vendosën vazo të betonit dhe drunj dekorativë për ta rifunksionalizuar barrikadën.

SHKARKO APP