Tahiri: Nëse Serbia vazhdon me arrestime, ashtu do përgjigjet dhe Kosova

PRISHTINE- Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se kanë kërkuar nga pala serbe gjatë negociatave të fundit që janë zhvilluar, që të lirohet drejtori i Policisë Rajonale, Nehat Thaçi që është duke u mbajtur nga pala serbe. Tahiri ka thënë për Indeksonline se i ka kërkuar edhe Bashkimit Evropian që Serbia të sillet karshi marrëveshjeve që janë nënshkruar Kosovë-Serbi për lëvizjen e lirë.

“Unë së pari i kam shpreh pakënaqësitë te BE-ja dhe kam kërkuar që ata të angazhohen për lirimin e zotit Thaçi, pra drejtorit të policisë rajonale dhe kam kërkuar siç ashtu që ka kërkuar BE-ja nga ne kur ndodhin raste për palën serbe, të angazhohen për këtë çështje. Po ashtu sot e kam ngritur edhe në takimin tre palësh dhe kam kërkuar që të ndërpriten këto arrestime dhe këto forma të destruktive të Serbisë dhe iu kam thënë hapur se ata në vend se të pranojnë hapur për gjenocidin që e kanë kryer në Kosovë, ata edhe më shumë po e keqësojnë situatën dhe është në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë”, ka thënë Tahiri për Indeksonline.

Ajo ka thënë se pala serbe nuk ka premtuar lirimin e Thaçit, pa i shqyrtuar çështjet juridike.

“Pala serbe nuk dha ndonjë premtim, përveç që tha se do të angazhohen për të parë se si është situata, meqenëse ata kanë qenë këtu, ndërsa BE-ja premtojë angazhime që çështja të zgjidhet sa më shpejt. Në fakt ata thirreshin të çështjet e drejtësisë dhe thanë që pa e shqyrtuar rastin, flas për palën serbe, pa e shqyrtuar rastin në aspektin juridik nuk mund t’i japim përgjigje”.

Tahiri ka paralajmëruar se nëse pala serbe vazhdon kësi soj, edhe pala kosovare do të aplikojë reciprocitet. “Unë iu thash që nëse kështu do të vazhdon Serbia edhe autoritetet tona repsektive të drejtësisë do të ndërmarrin reciprocitet, për shkak se ne në frymën e dialogut dhe përpjekjeve për të normalizuar marrëdhëniet kemi qenë të kujdesshëm, pra edhe ne duhet të paktën të përgjigjemi me reciprocitet”, ka thënë Tahiri.

SHKARKO APP