Takimi i Thaçit me Papën shkakton panik në Beograd
Vizita e presidentit kosovar, Hashim Thaçi në Vatikan dhe takimi i tij i dytë brenda një kohë të shkurtër me Papa Françeskun duket se ka shkaktuar panik në Serbi.
Kështu, shumica e mediave atje sot janë marrë me këtë vizitë dhe paralajmërimin e Thaçit se Papa shumë shpejt pritet ta vizitojë Kosovën.
Edhe kësaj radhe, mediat e kontrolluara nga shërbimi inteligjent serb kanë vazhduar një ofensive mediale kundër Kosovës.
“Hashim Thaçi, presidenti i shtetit të rremë Kosova dhe njeriu i cili në raportin e Këshillit të Sigurimit të Evropës është i etiketuar se merrej me tregtinë e organeve njerëzore, i ka bërë gati dhjetë milionë euro në kesh me të cilat do të provojë të lobojë në Vatikan për njohjen e pavarësisë”, citon një burim anonim gazeta “Informer”.
Por me deklaratën e presidentit Thaçi se Papa Françesku do të vizitojë Kosovën, është marrë edhe kreu i kishës ortodokse serbe, Irinej.
Ai për gazetën “Kurir” ka thënë se nuk ka dijeni se Papa Fraçesku do ta vizitojë Kosovën dhe që do ta njohë pavarësinë e Kosovës, siç ka pohuar presidenti kosovar, Hashim Thaçi.
Sipas tij, kisha serbe ende nuk ka qëndrim sesi do të veproj, në rast se Vatikani njeh pavarësinë e Kosovës.
Ndërkohë, e përditshmja e njohur “Danas” shkruan krejt diçka tjetër.
Ajo shkruan se kreu i Kishës Katolike, e pranoi ftesën e presidentit Thaçi për të vizituar Kosovën.
“Papa ka pranuar një ftesë nga Aleksandër Vuçiqi dhe nga Hashim Thaçi. Kisha Ortodokse serbe nuk ka kundërshtime ndaj vizitës”, ka thënë një burim ndërkombëtar për “Danas”.