Takimi me Lajçak, Thaçi: Të bëhet sa më shpejt liberalizimi i vizave dhe të ketë njohje reciproke
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit me përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, ka thënë se pozicioni zyrtar i Kosovës është që në këtë proces duhet të fillohet me liberalizim të vizave e të përmbyllet sa më shpejt me njohje reciproke mes dy shteteve.
Kreu i shtetit ka bërë me dije se kanë diskutuar për angazhimet që do të ketë Lajcak në çështjen e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kosova ka një të ardhme dhe alternativë të vetme që të jetë pjesë e familjes evropiane. Diskutuam edhe për angazhimet që do ti ketë Lajcak në çështjen e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë çdo përpjekje që çon drejt normalizimit të plotë mes Kosovës dhe Serbisë është e mirëseardhur. Unë dua të besoj qe do gjë kemi veprime konkrete dhe dobiprurëse për dy popujt nga ky angazhim. Pozicioni zyrtar i shtetit të Kosovës në këtë proces është që duhet të fillojë me liberalizimin e vizave dhe duhet të përmbyllet sa më shpejt qe është e mundur me një njohje reciproke”, ka thënë Thaçi në konferencën për media.
Lajçak pritet që të qëndrojë deri me datë 18 qershor në Kosovë dhe të takohet edhe me liderët tjerë në vend.