Takimi në Uashington, Thaçi: Do të jetë rraskapitës
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka folur lidhur me takimin e 27 Qershorit mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në Uashington. Në një lidhje në emisionin “Opinion”, Presidenti Thaçi e cilësoi këtë takim një mundësi të artë për të dy vendet.
“Ky takim do të mund të jetë një mundësi e artë për Kosovën dhe Serbinë që të punojnë për gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare e rëndësisë jetike për të mirën e popujve, paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Thaçi.
I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu nëse, ka një draft paraprak mbi të cilin do të diskutohet Thaçi tha:
“Natyrisht ne shkojmë me objektiva shumë të qarta në realizmin e synimeve që kemi patur dhe me një proces që do të mbyllet me anëtarësimin në OKB apo njohjen recirporke. Kryefjala është që takimi do të jetë në kuadër të kornizave të Ahtisarit , pres për t’u konkretizuar ky takim në marrëveshje mes dy shteteve sovrane”.
Fevziu: Ju thoni se ky takim do të përfundojë me një marrëveshje që i jep fund një armiqësie pothuajse shekullore?
Thaçi: Është një armiqësi më shumë se shekullore dhe do të jetë një takim rraskapitës. Në Serbi jetojnë me të kaluarën dhe fare pak mendojnë dhe punojnë për të ardhmen. Në anën tjetër jetojnë dhe me faktin dhe e dinë që Kosova është një vend i pavarur dhe sovran. Palët ulen të barabarta në Uashington. Ne shkojmë me flamurin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe është një mundësi e mirë të punohet për marrëveshje. Në veçanti zhvillimin ekonomik, vende të reja të punës, rritjen e mirëqenies qytetare, lëvizjen e lirë dhe tema të tjera. Por diçka të përgatitur nuk ka deri më sot.