Takimi tjetër Kurti-Vuçiç me agjendë, pritet që dialogu në Bruksel të vijojë më 25 korrik

Njohësit e procesit të dialogut Kosovë-Serbi propozojnë që takimi i radhës Kurti-Vuçiç në Bruksel të mbahet me një axhendë më të qartë, për të mos dështuar si tryeza e fundit. Edhe pse nuk është konfirmuar, si datë për vijimin e dialogut dypalësh është lënë 25 korriku.

Kosova dhe Serbia dolën me dallime të forta nga takimi i fundit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiç, por në mbledhjen e radhës palët do të shkojnë me një axhendë.

Në parim, tryeza është vendosur të mbahet më 25 korrik, edhe pse data do duhet konfirmuar.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, thotë se që në takimin e parë u dëshmua qasjen ndryshe e Kurtit në dialog.

Kryeziu-Hyseni: Qëndrimi dhe pozicionimi i kryeministrit në dialogun me Serbinë̈ ka qenë mjaft i qartë dhe ka treguar se ne jemi të gatshëm të tregohemi konstruktiv, derisa jemi brenda kornizave që ne konsiderojmë se nuk duhet të dalim. Prandaj vet qëndrimi i Albin Kurtit si kryeministër dhe propozimet që i ka nxjerr, tregon që ne e kemi qasje ndryshe dhe po dëshirojmë̈ t’i qasemi ndryshe nga të tjerët. Prandaj kemi shkuar edhe propozime të reja dhe jo të vazhdojmë̈ aty ku kanë mbetur dhe kanë lënë të tjerët… Parimisht janë̈ dakorduar që të mbetet 25 korriku data kur do të jetë takimi i radhës, megjithatë̈ e dimë që nuk ka një konfirmim se nuk ka pasur pajtueshmëri për agjendën që pritet të jetë pjesë e dialogut.

Dialogu Kosovë-Serbi po ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian që nga viti 2011.

Demush Shasha, njohës i procesit, sugjeron që tryeza e re Kurti-Vuçiq të paraprihet nga një takim i rangut më të ulët pasi ka ende çështje teknike që ata nuk mund t’i zgjidhin dot.

Shasha: Kjo pastaj do të hapte rrugë që në nivel teknik, të fillojnë në nivel diplomatik negociatat për një gamë çështjesh teknike dhe thelbësore që përbëjnë mosmarrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky raund negociatash pastaj diplomatike do të ishte le të themi përgatitje e terrenin për takimin e ardhshëm Kurti-Vuçiq, ku dy liderët do të mund të konfirmonin negociatat diplomatike, ose të mbyllnin një raund të dakordimeve që janë bërë, ose të përmbyllin gjithë raundin negociator.

Edhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, thekson nevojën për një platformë për dialog para takimit të korrikut.

Hoti:Nuk ka dilemë që kjo çështje është e ndjeshme dhe fjalën e fundit duhet të ketë Parlamenti i Kosovës, vendi ku mishërohen qëndrimet pro dhe kundër. Hartimi i një platforme dhe miratimi i saj nga parlamenti është domosdoshmëri sepse miratimi i saj do të paraqiste bazamentin e ecjes përpara të ekzekutivi kosovar.

Kryeministri Kurti tha të martën se në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd, ai paraqiti katër propozime konkrete, të cilat morën përgjigje negative nga pala serbe, edhe pyetja që Beogradi ta njohë dikur Kosovën e pavarur.

SHKARKO APP