Të pagjeturit e luftës së Kosovës, Kurti dhe Çanak i kërkojnë Serbisë që të hap arkivat

Kryeministri Albin Kurti është takuar këtë të hënë me kryetarin e Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, Nenad Çanak.  Ata kanë folur sa i përket hapjes së arkivave që duhet të bëjë Serbia që qytetarët të kenë më shumë informacion për varrezat masive.

Më herët në Kizhevak të Serbisë është përmbyllur procesi i gërmimit dhe zhvarrosjes së mbetjeve mortore. Sipas qeverisë së Kosovës atje u gjetën të paktën mbetjet mortore të nëntë personave. Viktimat i takojnë masakrës së Rezallës, në Skenderaj, të zbuluar në vitin 2014, nga e cila janë identifikuar në total 54 viktima.

Kurti tha gjatë takimit me Çanakun se  Kosova ka ende 1632 persona të pagjetur, dhe se Qeveria është duke punuar për t’i gjetur trupat e tyre, pavarësisht etnisë. Autoritetet në Kosovë njoftojnë se në brendësi të territorit të Serbisë, nga informacionet e mbledhura, gjenden 16 varreza masive me trupa të të vrarëve dhe masakruarve gjatë luftës për pavarësi.

Ndërkohë, Çanak një politikan në parlamentin serb por që i përket krahinës autonome të Vojvodinës, ka pikëpamje ndryshe nga elita politike serbe lidhur me pavarësinë e Kosovës. Ai e pranon atë dhe e ka thënë gjithnjë publikisht. Sipas tij, njohja e së vërtetës nga qytetarët serbë i shërben pajtimit sa më të shpejtë.

Kryeministri Albin Kurti e ka kërkuar edhe më herët hapjen e arkivave në Serbi. E të njëjtit mendim me të është edhe Natasha Kandiçi nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi, por ajo thotë se nuk beson që Serbia do t’i hapë arkivat e saj, për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Kandiç thotë se Serbia nuk do të japë dokumente, të cilat ajo nuk ia ka dhënë as Gjykatës së Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.

SHKARKO APP