Të shtëna me armë zjarri në Kosovë, plagoset nipi i Ramush Haradinajt
Dy persona janë plagosur mbrëmjen e kaluar në Pejë afër fakultetit të Biznesit, ndërsa i dyshuari ende është në arrati. Njëri nga të plagosur mësohet se është familjar i kreut të AAK-së, Ramush Haradinajt.
Portali KALLXO.com raporton se i plagosuri Ahmetxhekaj është nip i familjes Haradinaj. Apo ndryshe, i plagosuri është nipi i Hilmi Haradinajt, babai i ndjerë i Ramush Haradinajt.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka thënë për mediat kosovare se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për kapjen e të dyshuarit.
“Prokurorja e Krimeve të Rënda ka dalë ne vendin e ngjarjes pas të shënave me armë zjarri në Pejë. Janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet për kapjen e personit të dyshuar”, tha Nikçi.
Sipas mjekëve, të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetë, ndërsa njëri prej tyre ishte kalimtar i rastit.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
“Rreth orës 12:20, në afërsi të fakultetit të Biznesit në Pejë, janë plagosur dy persona, njëri nga ta kalimtar i rastit. Të dy janë derguar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Njësitët kompetente po merrem me trajtimin e rastit, akoma nuk ka informacione për ndonjë të arrestuar”, ka thënë Gashi.