Tërheqja e njohjes nga Sierra Leone, Konjufca: Pretendim i Daçiç, asgjë nuk është e sigurt
Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka komentuar deklaratën e ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiç i cili tha se Sierra Leone ka tërhequr njohjen e Kosovës.
Sa i përket kësaj deklarate, ministri Konjufca u shpreh se nuk është e sigurt nëse vërtetë Sierra Leone e ka bërë një gjë të tillë, shkruan Telegrafi.
Konjufca në një deklaratë për media tha që është i pavërtetë pretendimi i Serbisë lidhur me këtë çështje.
“Deri më tani kemi informacione se 12-15 shtete kanë proklamuar raportet diplomatike me Republikën e Kosovës. Sa i përket rastit konkret asgjë nuk është e sigurt dhe këto janë pretendime të Daçiçit”, u shpreh Konjufca.
Ai tha se e përkrah kryeministrin Albin Kurti sa i përket heqjes së pjesshme të taksës, duke shtuar se duhet të ketë një periudhë 3 mujore për të parë se si do të veprojë Serbia.
Ditën e sotme ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç deklaroi se Sierra Leone ka tërhequr njohjen e Kosovës si shtet i pavarur.