Thaçi: 25 takime dhe 200 orë biseda me Vuçiç-Daçiç

Presidenti i zgjedhur i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur një ligjëratë në Institutin e Hagës për Drejtësi Globale.

Në fjalimin e tij të gjatë, Thaçi ka folur për karrierën e tij që nga Lëvizja studentore e viteve nëntëdhjeta, formimin e UÇK-së, Konferencën e Rambujesë në vitin 1999, intervenimin e NATO-s, shpalljen e Pavarësisë si dhe shumë pika tjera që lidhen me Kosovën

Duke folur për UÇK-në Thaçi, ndër të tjera tha: “Mund të citoj Tim Judah, gazetar nga “The Economist”, i cili kishte thënë se UÇK-ja ishte “lëvizja më e suksesshme guerile në historinë bashkëkohore”. Ne arritëm ta çlirojmë Kosovën me ndihmën e NATO-s, me ndihmën e Evropës dhe të SHBA-ve”.

Në vazhdim, Thaçi ka folur edhe për bisedimet Kosovë- Serbi.

“Ne u takuam mbi 25 herë dhe kam kaluar më shumë se 200 orë me kryeministrat Vuçiç dhe Daçiç.

Në takimin e parë, me Daçiçin, ne u ulëm 3 metra larg nga njëri-tjetri. Pa shtrëngim duarsh, vetëm shikonim nga njëri-tjetri. Vetëm pas një kohë, pas një frymëmarrjeje të thellë, arritëm të shtrëngonim duart. Fjalia e parë nga Daçiç ishte: “Për vite, ne donim të të vrisnim”. Unë iu përgjigja: “Ne nuk jemi këtu për të qarë për të kaluarën, por për të biseduar për të ardhmen”. Megjithatë, së shpejti, arritëm të ndërtojmë një dialog konstruktiv. Në fund, nënshkruam marrëveshjen historike të Brukselit për normalizimin, në prill 2013. Ne vendosëm të mos bllokonim njëra-tjetrën në integrimin evropian dhe të hiqnim strukturat paralele ilegale serbe në Kosovë. Ne u pajtuam se në Kosovë ekziston vetëm një ligj – ligji i Kosovës dhe vetëm një Kushtetutë, Kushtetuta e Kosovës. Kjo ishte hera e parë që Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje në kohë paqeje, për herë të parë në histori ne përdorëm dialogun dhe jo armët. Pas 100 viteve të armiqësisë dhe konfrontimit”, përfundoi ai.

SHKARKO APP