Thaçi agjent?!
“Eshtë vetëm një dëshmi gojore në një kanal televiziv, por nuk jepen as të dhëna shtesë dhe as ndonjë dokument, që kërkohen nga media serioze në shtete demokratike. Pikërisht duke qenë e tillë është edhe e pavërtetë, sepse nuk mbështetet askund dhe nuk ka gjithsesi edhe një burim tjetër. Periudha që bën fjalë rrëfimi i kryeagjentit francez, pra në Konferencën e Rambujesë, bëhet edhe më i pavërtetë sepse Thaci ndër përfaqësuesit kryesorë legalë të përfaqësimit të interesave të shqiptarëve të Kosovës, së bashku me pjesëtarë të tjerë të delegacionit, përfshi edhe presidentin Rrugova….”
Nga Suzana Tahiri –
Ka disa ditë që mediat e shkruara, vizive dhe sidomos portalet me shumë ndikim, kanë publikur një lajm sikur Hashim Thaçi është agjent i francezëve. Në mënyrë të përmbledhur akuza është pak a shumë kjo: “Thaçi, agjent i Francës, thotë ish –shefi i shërbimit francez Pierre Siramy, në një dokumentar special të Canal +. Sipas tij, në historinë e rekrutimit të Thaçit është i përfshirë Arnaud Danjean, në atë kohë, Oficer Hulumtues për Çështje të Ballkanit. Po ashtu, dokumentari zbulon se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është furnizuar me armë nga Parisi…”.
Siç shihet është vetëm një dëshmi gojore në një kanal televiziv, por nuk jepen as të dhëna shtesë dhe as ndonjë dokument, që kërkohen nga media serioze në shtete demokratike. Pikërisht duke qenë e tillë është edhe e pavërtetë, sepse nuk mbështetet askund dhe nuk ka gjithsesi edhe një burim tjetër. Periudha që bën fjalë rrëfimi i kryeagjentit francez, pra në Konferencën e Rambujesë, bëhet edhe më i pavërtetë sepse Thaci ndër përfaqësuesit kryesorë legalë të përfaqësimit të interesave të shqiptarëve të Kosovës, së bashku me pjesëtarë të tjerë të delegacionit, përfshi edhe presidentin Rrugova. Mashtimi i kryeshefit të zbulimit francez, (nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë bërë në kushte pagese nga qarqe antishqiptare, për të mos akuzuar drejtpërdrejt serbët), bëhet si një goditje për marrjen e përgjegjësisë së re të Thaçit në presidencën e Kosovës.
Nga ana tjetër edhe nëse do ta merrnim si të vërtetë nuk ka asgjë të keqe që politikanë të lartë shqiptarë të bashkëpunojnë me autoritetet perëndimore, përfshi ato të SHBA, Francës, Anglisë, të vendeve të NATO-s, që janë edhe miqtë e vërtetë të Kosovës. Problemi qëndron te agjentë e Beogradit apo të shërbimeve sllave, të cilat mund të gjenden në çdo pushtet në Kosovës (politikë, media, drejtësi a diku gjetkë) dhe që asnjëherë nuk do të bëhen publike edhe kur kalon koha e deklasifikimit të dokumenteve. Është një ligj i pashkruar në të gjitha shërbimet sekrete, perëndimore a lindore qofshin, që emrat e bashkëpunëtorëve nuk publikohen asnjëherë.
Në këto kushte, pra në mungesë të provave, balta që kërkohet të hidhet mbi një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të Kosovës është thjesht llum mbi vetveten, çka së paku do të detyronin shumë media për ta fshirë sa më parë këtë mashtrim të trashë.