Thaçi: BE-ja të dënojë gjuhën raciste të kryeministres serbe

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se gjuha e përdorur nga kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq kur ambasadori i BE-së, Fabrizi, i dorëzoi raportin e progresit të Komisionit Evropian, është një tjetër dëshmi e urrejtjes patologjike të regjimit aktual të Serbisë kundër qytetarëve të Kosovës.

Thaçi kërkoi nga Bashkimi Evropian që ta dënojë dhe të distancohet nga kjo gjuhë raciste e zyrtarëve të Serbisë, e cila, sipas tij, nxit urrejtje dhe i minimizon përpjekjet për pajtim dhe normalizim të marrëdhënieve mes tyre.

“Ky veprim nuk paraqet asgjë të re dhe të jashtëzakonshme për ne, sepse ne e dimë shumë mirë karakterin gjenocidial të Serbisë së djeshme dhe asaj te sotme. Por, i jashtëzakonshëm dhe zhgënjyes për ne është vetëm fakti i hidhur që BE-ja nuk e dënon këtë sjellje raciste dhe antievropiane të Serbisë. Përkundrazi, BE-ja vazhdon t’i mbajë dyert e hapura për një shtet që ka kryer gjenocid dhe që nuk beson në vlerat evropiane as sot”, tha Thaçi.

Komentet e Thaçit për Radion Evropa e Lirë vijnë një ditë pasi Bërnabiq, në prani të ambasadorit të BE-së në Serbi, Sem Fabrizi, tha se shqiptarët janë njerëz që vertët kanë dalë prej malit. Ajo po ashtu tha se disa prej shqiptarëve janë terroristë që nuk janë dënuar dhe që kanë qenë të akuzuar në gjykatën e Hagës.

Pas deklaratës së saj reagoi edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behxhet Pacolli. Përmes një postimi në Twitter, Pacolli tha se deklarata e kryeministres serbe është e neveritshme dhe tërësisht e papranueshme.

SHKARKO APP