Thaçi: Deklaratat e Jabllanoviç, të papranueshme
– Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka cilësuar të papranueshme deklaratat e ish-ministrit serb për Komunitete dhe Kthim në qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviç.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve maqedonase INA, Thaçi thekson se “shkarkimi i Jabllanoviçit ka qenë vendimi drejtë dhe i mundshëm i kryeministrit Mustafa. Pasi ne i kemi analizuar shumë mirë deklarimet e mëparshme të ish ministrit Jabllanoviç, duke parë edhe zhvillimet e brendshme politike, si dhe procesin e dialogut dhe të faktorit ndërkombëtar. Mendoj se të gjithë duhet të sillemi në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Deklarata e Jabllanoviçit ka qenë krejtësisht e papranueshme dhe krejt e panevojshme dhe ka dëmtuar më shumë komunitetin serb në Kosovë. Ne jemi që të arrijmë axhenda të përbashkëta dhe t’i implementojmë ato”.
Sipas Thaçit, ky vendim nuk është vendim kundër komunitetit serb, por është vendim pas një deklarate të papranueshme për gjithë qytetarët e Kosovës dhe institucionet e vendit.
“Qeveria do të vazhdojë punën e vet pavarësisht se çfarë mund të bëjë Jabllanoviçi dhe Lista Serbe , por ne jemi në interes të përbashkët, që të punojmë bashkërisht në emër të institucioneve, të cilat i kemi të përbashkëta në Kosovën tonë. E cila, është një Kosovë e të gjithë qytetarëve të saj përfshirë këtu edhe serbët e minoritetet e tjera. Kosova, është vend sovran dhe i pavarur, me institucione legjitime të një shteti funksional. kështu që qeveria do të vazhdojë punën, do të jetë qeveri e qëndrueshme, efektive dhe e përkushtuar në axhendën e planifikuar”, u shpreh Thaçi.
Lidhur me Trepçën , Thaçi tha se “Trepça është e Kosovës – pasuri dhe çështje e saj, ku vetëm Kosova vendos se çdo të bëhet më të. Shteti i Kosovës, do të punojë, ta zgjidhë këtë çështje sipas standardeve bashkëkohore, në bazë të kritereve më të mira të përvojave të vendeve të tjera në raste të tilla. Trepça, është një çështje që duhet ta zgjidhim bashkërisht dhe që nuk duhet politizuar”.
“Një zgjidhje që krijon një bazë të fuqishme për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të Kosovës, dhe që mundëson krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e mirëqenies. Kjo, çështje nuk duhet të politizohet, por të shikohet si një përkushtim i përbashkët i të gjithë spektrit politik dhe më gjerë. Mendoj se është me rendësi që ky kompleks të vazhdojë punën”, nënvizoi Thaçi.
I pyetur mbi ikjen e kosovarëve , Thaçi tha se “është një fenomen fatkeq që po ballafaqohemi kohët e fundit dhe një fenomen shumë interesant, sepse edhe Serbia, ua ka hapur portën për largimin e tyre, por nuk po lejon kthimin e tyre. Ndërkohë që Serbia ka detyrime ndërkombëtare, që të lejojë transportin përmes territorit të saj. Por, do të theksoja se një fenomen i tillë, nuk po ndodh vetëm në Kosovë, ai u ka ndodhur edhe vendeve të tjera të rajonit sidomos në prag të procesit të liberalizimit, apo menjëherë pas liberalizimit të tyre. Sepse, njerëzit mendojnë se i pret një mrekulli në vendet perëndimore. Gjithsesi, duhet më tepër “edukim” në këtë fenomen nga lidershipi i Kosovës, që qytetarët tanë të mos mashtrohen, duke u larguar nga Kosova.
“Jemi duke punuar me vendet e Bashkimit Evropian ku ata janë strehuar aktualisht, që të punojmë për rikthimin e tyre. Të gjithë ata që kanë shkuar do të rikthehen, sidomos, pas arritjes së marrëveshjeve për kalime përmes territorit të Serbisë për t’u rikthyer në Kosovë. Mesazhi, im është duke u bërë thirrje edhe me këtë rast, që qytetarët të qëndrojnë në Kosovë dhe të vazhdojnë jetën e tyre, për një jetë më të mirë dhe çdo njeri prej tyre të ndihet i sigurt në Kosovë. Por, gjithashtu edhe Brukseli, duhet të lëvizë më shpejt në liberalizmin e vizave, që qytetarët e Kosovës të mos vazhdojnë të jenë vendi më i izoluar në drejtim të lëvizjes së qytetarëve të saj nëpër Evropë”, përfundoi Thaçi.