Thaçi: Deputetët që votojnë kundër demarkacionit do të kenë përgjegjësi historike
Presidenti i vendit Hashim Thaçi iu ka bërë thirrje edhe një herë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta votojnë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.
Në të kundërtën, thotë ai, do të vihet në pikëpyetje kredibiliteti i shtetit të Kosovës, por edhe marrëdhëniet me aleatin kryesor, SHBA-të. Ai në një intervistë për lajmi.net ka thënë se është absurde se si opozita me ambicien e saj për pushtet është përpjekur në këto muaj që ta nxjerrë Malin e Zi në sytë e opinionit publik të Kosovës si të ishte një shtet dashakeq e grabitqar.
“Mund të thuhet me gojë të plotë se Mali i Zi është një shtet mik yni, sepse e ka mbështetur shtetin tonë në çdo hap apo proces ndërkombëtar pavarësisht kostove të brendshme e të jashtme. Ndryshe nga Bosnje Hercegovina, Mali i Zi na ka njohur e mbështetur ndër të parët në rajon pavarësisht se një e treta e popullsisë së këtij shteti i përket etnisë serbe dhe dirigjohet nga Beogradi”, ka thënë Presidenti.