Thaçi dhe Borrell, bien dakord për zgjatjen 1-vjeçare të mandatit të EULEX

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është pajtuar për zgjatje teknike njëvjeçare të mandatit të misionit të EULEX-it me një letërkëmbim me Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Josep Borrell.

Zgjatja teknike po bëhet pasi që pandemia ka pamundësuar negociatat për të ardhmen e mandatit të EULEX-it.

Në letërkëmbimin e tij, presidenti Thaçi ka shprehur gatishmërinë që “në mënyrë që të sigurojmë vazhdimësinë e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (“EULEX KOSOVA”) gjatë këtyre rrethanave të jashtëzakonshme, Kosova pajtohet për një zgjatje teknike të EULEX KOSOVA, më së voni deri më datën 14 qershor 2021”.

Presidenti Thaçi gjithashtu ka shprehur mbështetjen për misionin, duke konfirmuar se institucionet e Kosovës vazhdojnë të mbështesin në tërësi mandatin e “EULEX KOSOVA” në përputhje me dokumentet e nënshkruara deri tani.

Në përgjigjen e tij, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, pranon këtë pajtueshmëri për zgjatje teknike njëvjeçare të EULEX Kosovo deri më 14 qershor 2021 dhe thekson mbështetjen e BE-së për Kosovën, me theks të veçantë te mbështetja në këto kohë të “sfidave të pa precedencë” të shkaktuara nga pandemia.

Përfaqësuesit e BE-së, duke folur edhe në emër të shteteve anëtare të BE-së, kanë njoftuar se për shkak të pandemisë COVID-19 ka qenë e pamundur që të mbahen takime për t’i shqyrtuar misionet e BE-së, përfshirë edhe atë EULEX-it në Kosovë dhe kanë kërkuar mirëkuptim nga autoritetet vendore për zgjatje teknike të mandateve aktuale për një vit.

Mandati i EULEX-it është negociuar çdo dy vite dhe gradualisht është zvogëluar mandati dhe janë bartur kompetencat tek organet vendore.

SHKARKO APP