Thaçi dhe Kosnett flasin për raportet Kosovë-SHBA

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar të mërkurën me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip S. Kosnett, me të cilin ka biseduar për tema të ndryshme, me theks të veçantë për partneritetin mes dy vendeve dhe dialogun e Kosovës me Serbinë. Siç është thënë në një komunikatë për media, Thaçi dhe ambasadori Kosnett janë pajtuar që vitale është të largohen të gjitha pengesat për vazhdimin e dialogut me Serbinë, në mënyrë që t’i hapet rrugë arritjes së një marrëveshjeje paqësore.

“Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndajnë vlera, parime dhe synime të përbashkëta. Në këtë rast, synimi ynë i përbashkët është të ndërtojmë paqe e stabilitet të qëndrueshëm në Kosovë dhe në rajon, si parakusht për zhvillim e prosperitet të vendit tonë. Çelës për paqen është arritja e një marrëveshjeje paqësore, gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur Thaçi. Sipas tij, miqësia me SHBA-në është e përhershme dhe “jetësore” për Kosovën. “Partneriteti dhe miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është jetësor për Kosovën. Kosova ka arritur kaq larg falë përkrahjes së gjithanshme të Shteteve të Bashkuara”, ka deklaruar presidenti Thaçi.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kërkojnë që Kosova të pezullojë taksën prej 100 për qind në importet e Serbisë dhe Bosnjës, meqë kjo masë ka bllokuar vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel. Sipas Qeverisë amerikane, vendimi për mospezullim të taksës përbën qëndrim kundër interesave të SHBA-së. SHBA: E pabesueshme që Kosova po injoron këshillën tonë për taksën Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj po insiston se taksa do të jetë në fuqi derisa Serbia të njohë shtetësinë e Kosovës. Taksa është kundërshtuar edhe nga autoritetet e Serbisë, ndërsa presidenti i këtij shteti, Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk do të ketë dialog në Bruksel, derisa taksa doganore të jetë në fuqi.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?