Thaçi dhe LDK dorëzojnë në Kushtetuese argumentet për dekretimin e Hotit kryeministër
Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës, sot ka dorëzuar argumentet në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Dekretit nr. 24/2020 të Presidentit të Republikës së Kosovës, dt. 30.04.2020, me të cilin Dekret, sipas propozimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti i është propozuar Kuvendit të Kosovës kandidat për kryeministër për të formuar qeverinë e re.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga Zyra e Presidentit.
“Presidenti i Republikës së Kosovës e ka nxjerrë këtë Dekret pas konsultimit me të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend dhe pajtimit të shumicës absolute të tyre për të formuar qeveri të re. Si përfaqësues i unitetit të popullit dhe garantues i funksionimit demokratik dhe kushtetues të institucioneve, Presidenti përmes nxjerrjes së Dekretit nr. 24/2020 ka vepruar në kuadër të kompetencave të tij të përcaktuara me Kushtetutë dhe sipas standardeve të përcaktuara në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO103/14”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese argumentet sa i përket masës së përkohshme që ka marrë kjo gjykatë lidhur me dekretin e presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër.
Këtë e bëri të ditur shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.
“Së bashku me kolegët e mij Driton Selmanaj dhe Shkëmb Manaj, dorëzuam argumentet në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së , po ashtu edhe disa kolegë tonë deputetë kanë dorëzuar komentet individuale lidhur me masën e parakohshme që ka marrë Gjykata për dekretin e presidentit”, ka thënë Gashi.