Thaçi dhe Veseli në Hagë/Çejku: Mund të lexohet në 3 dimensione
Situata politike në Kosovë, u trondit nga lajmi se zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, ka ngritur akuza ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndër të cilat, vrasje të paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Sipas prokurorit akuzat janë ngritur më 24 prill. Arben Çejku, anëtar i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, thotë se ishte e ditur që ngritja e Gjykatës Speciale do të prekte nivele të larta të politikës në Kosovë.
”Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli e kanë ditur që do të vijë momenti kur do të ketë një njoftim të tillë publik. Fakti që njoftimi u bë 3 ditë para takimit në Uashington merr konotacione të tjera, por nuk e prek thelbin e kësaj gjykate dhe agjendën e saj për të sqaruar akuzat që janë hedhur ndaj ish-drejtuesve të luftës në Kosovë. Pas kësaj, teoritë e konspiracionit do të jenë të pafundme dhe askush nuk mund të pretendojë se di të vërtetën, por fakti që kishte reagim nga DASH, tregon që SHBA nuk është e papërgatitur për këto lloj vendimesh të Gjykatës Speciale dhe mund të them që është një hap që e frenon zhvillimin e mëtejshëm të dialogut Kosovë-Serbi”,-tha në ”A2”
Sipas Çejkut, deklarata e Hagës në raport me Presidentin Hashim Thaçi mund të lexohet në 3 dimensione. ”Në dimensionin institucional, politik dhe moral. Përsa i përket dimensionit politik, varet se çfarë qëndrimi do të mbajë Presidenti. Pas këtij njoftimi duhet të përgatitet për mbrojtje reale. Ndërsa të gjithë duhet të unifikohen rreth Kosovës, me luftën për pushtet që duhet të jetë më e pakët. Prej këtij momenti nis një qasje tjetër në raport me figurën e Presidentit Thaçi, me integritetin e tij personal dhe politik. Por, unë besoj se me eksperiencën që ka do të ndërmarrë hapa të rëndësishëm dhe të vështirë, që do të ndihmojnë në ardhmërinë e Kosovës”