Thaçi dhe Veseli në Hagë/Ish-ambasadori në OKB: Arsyet që çuan në thirrjen e tyre
Situata politike në Kosovë, u trondit nga lajmi se zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, ka ngritur akuza ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndër të cilat, vrasje të paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Sipas prokurorit akuzat janë ngritur më 24 prill.
Agim Nesho, ish-ambasador i Shqipërisë në OKB, mendon se ka disa arsye që kanë nxitur thirrjen e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit në Gjykatën Speciale. ”Së pari është tendenca që disa politikanë të Kosovës kanë tentuar të zhbëjnë ligjin e Gjykatës Speciale. Në botën perëndimore, pengesa e drejtësisë është krim po aq i rëndë sa krimi që individët kryejnë”.
Edhe takimi i 27 qershorit, në Uashington mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë, sipas Neshos, ka luajtur një rol. ”Problemi është që ka ndodhur tani, për arsye se bërja e kësaj iniciative mund t’i jepte një paprekshmëri të disa udhëheqësve të cilët përmes një marrëveshjeje ndërkombëtare kërkonin të amnistoheshin nga Gjykata. Mendoj që organet e drejtësisë janë të pavarura. Është shumë e vështirë që Europa dhe SHBA të bëjnë presion”,-tha në ”A2”.
Për të kjo situatë ka ardhur si rezultat i protagonizmit të vetë Thaçit. ”I mbështetur edhe nga Rama, ai është vetëofruar për të arritur një marrëveshje me Vucic. Serbia kërkon të delegjitimojë luftën që ka bërë populli shqiptar për mbijetesë. Gabimi esencial është që besojmë se çështja shqiptare mund të zgjidhet me një aktor si Serbia”.
Në lidhje me marrëveshjen që mund të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë, për Neshon është e sforcuar. “Doli kundër interesave të Europës. Politika shqiptare, në Kosovë dhe Shqipëri, nuk ka qenë largpamëse. Si në rastin e Mini Shengenit, faktori shqiptar u bë pjesë e projekteve të nisura nga Serbia. Ne duhet të kishim largpamësinë për të vepruar në një lojë politike të pabarabartë e të inskenuar nga Shqipëria”.