Thaçi dhe Vuçiç përplasen në Bratisllavë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb Aleksandër Vuçiç kanë qenë sot prezent në forumin ndërkombëtar ‘GlobSec’ në Bratisllavë.

Gjatë konferencës së mbajtur, presidentët e të dy vendeve kanë shkëmbyer deklarata mes tyre në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi.

Thaçi ka deklaruar se dialogu po kalon një periudhë krize pasi Serbia ka vendosur kushtin e heqjes së taksës. Por kjo gjë sipas Thaçit nuk mund të vazhdojë kështu pasi taksa erdhi si rezultat i sjelljes penguese të Serbisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe Interpol.

“Unë dua të theksoj se ne jemi në një proces të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Në realitet ky proces është aktualisht në krizë për shkak të kushtëzimeve të panevojshme në këtë proces. Nuk mund të ketë dialog nëse vendosim kushte për këtë proces ashtu siç po bën Serbia aktualisht. Institucionet e Kosovës nuk duhet të vendosin pengesa gjithashtu. Taksa ishte rezultat i sjelljes agresive të Serbisë sidomos pengesat në anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe INTERPOL” tha Thaçi.

Nga ana tjetër Vuçiç u përgjigj se nuk mund të arrihet një marrëveshje duke pritur që Serbia të njohë së pari Pavarësinë e Kosovës.

“Deri më tani nuk kemi arritur marrëveshje. Megjithatë kjo nuk do të thotë se ne nuk do të përpiqemi të arrijmë një zgjidhje të mundshme. Problemi është se para se të fillonim negociatat, ne jemi penguar nga Bashkësia Ndërkombëtare. Gjithashtu, sipas Hashim Thaçit, e gjithë Kosova i takon Kosovës dhe sipas kushtetutës serbe, Kosova i përket Serbisë. E gjithë bota është e ndarë rreth kësaj çështjeje. Unë shpresoj se do të ketë njerëz të guximshëm që do ta gjejnë një zgjidhje. Duhet të jetë një zgjidhje ku të dyja palët janë të lumtura. Nuk mund të arrihet zgjidhje duke kërkuar që së pari Serbia ta njohë Pavarësinë e Kosovës. Kjo nuk funksionon kështu” tha Vuçiç.

Presidentët e dy vendeve patën përplasje gjithashtu edhe përsa i përket temës së asosacionit të komunave serbe. Për Thaçin pengesë për asociacionin janë bërë politikanët e Listës Serbe por Vuçiç e konsideron këtë një angazhim të pa mbajtur të Kosovoës.

“Kosova duhet të implementojë marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Është shumë e rëndësishme që të kemi vullnetin që kjo të ndodhë. Fatkeqësisht, Lista Serbe dhe politikanët serbë në Kosovë nuk i kanë lejuar njerëzit që të jenë pjesë e procesit dhe ta shkruajnë statutin e Asociacionit” tha Thaçi në lidhje me asociacionin.

Vuçiç ju përgjigj kësaj deklarate se Serbia i ka bërë detyrat e saj kah BE-së “Në anën tjetër, Kosova kishte vetëm një obligim (zbatimin e Asociacionit të Komunave Serbe) dhe ka dështuar” shtoi ai. “Mendoj se duhet të vazhdojmë të punojmë shumë më shumë në të ardhmen për gjetjen e një marrëveshjeje mes Serbisë dhe Kosovës. Ndërsa Hashim Thaçi dy ditë më parë ka thënë se ai nuk do ta zbatojë Asociacionin e Komunave Serbe; një marrëveshje që ai vet e ka nënshkruar”.

Thaçi dhe Vuçiç deklaruan gjithashtu se aspirata e të dy vendeve është drejt BE por lideri i Kosovës tha se kjo gjë nuk duhet të kalojë nga Beogradi, veçanërisht liberalizimi i vizave. Ndërsa Vuçiç u shpreh i vendosur se megjithëse Serbia do të integrohet në BE ajo do të vazhdojë të mbajë marrëdhënie të mira me Rusinë.

Takimi i radhës mes dy presidentëve pritet të jetë në Samitin e Parisit për të cilin ata u shprehën se mund të arrijë rezultate konkrete.

SHKARKO APP