Thaçi: Drejt NATO-s me hapa pragmatikë
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Fillimisht, zëvendëskryeministri Thaçi ka falënderuar sekretarin Stoltenberg për angazhimin e NATO-s në sigurimin e paqes dhe stabilitetit politik në Kosovë dhe në Ballkan.
Ai ka theksuar se NATO-ja mbetet partneri kryesor dhe më i besueshëm i qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës.
“Falënderoj NATO-n për përkrahjen që i kanë dhënë ndërtimit të paqes dhe për transformimin dhe profesionalizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ne synojmë të anëtarësohemi në NATO, por gjithmonë me hapa pragmatikë”, ka theksuar Thaçi në këtë takim.
Nga ana tjetër, sekretari e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ka përgëzuar Republikën e Kosovës për qasjen pragmatike dhe të urtë të autoriteteve të Kosovës në raport me transformimin e FSK-së.
Ai po ashtu ka përgëzuar institucionet e Republikës së Kosovës në luftën kundër terrorizmit. Derisa, zëvendëskryeministri Thaçi ka garantuar sekretarin e NATO-s se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë luftën e pa kompromis kundër terrorizmit dhe është pjesë e bllokut perëndimor kundër ISIS.
Sekretari Stoltenbeg theksoi që KFOR-i do të vazhdojë praninë në Kosovë dhe mbështetjen e institucioneve të vendit, si dhe do të mbështesin përpjekjet e Kosovës për aspiratat e saj Euro-Atlantike.