Thaçi: Duhet fuqizim shkëmbimesh tregtare Kosovë-Shqipëri

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi priti sot kryetaren e Bashkisë së Sarandës, Florjana Koka, së bashku me ambasadorin e Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozin, si dhe një grup të përfaqësuesve të bizneseve të ndryshme nga Shqipëria.

Presidenti falënderoi kryetaren Koka për mikpritjen e përzemërt dhe tradicionale të turistëve nga Kosova. Thaçi tha se bashkëpunimi strategjik ndërmjet dy shteteve duhet të jetë më dinamik edhe në fusha të tjera. “Shqipëria është partneri ynë i natyrshëm strategjik. Dua të shoh më shumë biznese të Shqipërisë në Kosovë dhe anasjelltas. Na duhet një dinamikë e re në shkëmbimet tregtare”, tha presidenti.

Ai inkurajoi të gjithë përfaqësuesit e bizneseve që të investojnë në Kosovë në sektorë të ndryshëm, duke kontribuar kështu në zhvillimin ekonomik, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.
Nga ana tjetër, kryetarja e Bashkisë së Sarandës, Florjana Koka, shprehu mirënjohje për qytetarët e Kosovës që edhe këtë vit kanë kaluar pushimet në bregdetin shqiptar. “Duam të forcojmë shkëmbimet ekonomike me Kosovën, prandaj kemi sjellë përfaqësues të bizneseve nga Saranda, të cilët kanë sjellë produktet e tyre me vete”, tha ajo.

Kryetarja Koka tha se është po ashtu e rëndësishme që nga kjo vizitë të nxisim bizneset nga Kosova që të investojnë në Shqipëri.

SHKARKO APP