Thaçi e Vuçiç takohen në Paris, në Prishtinë përmendet Esat Pasha

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të takohen me 11 nëntor  në forumin e paqes në Paris, që organizohet nga presidenti i Francës, Emanuel Macron.

Lidhur me këtë takim ku pritet të diskutohet rreth idesë së ndryshimit të kufijve, ka reaguar deputeti i Vetëvendosjes Xhelal Sveçla. Deputeti i Kuvendit të Kosovës, teksa flet për këtë takim kujton dhe vrasjen e Esad Pashës.

Deputeti thotë se në këtë forum të paqes do të marrin pjesë edhe organizata joqeveritare të cilat janë në përkrahje të idesë së Serbisë për ‘spastrim etnik’.

“Çuditërisht mediat dhe pushtetarët shqiptarë nuk po flasin hiç për “Paris Peace Forum” (Forumin e Paqes së Parisit – https://parispeaceforum.org) që mbahet më 11-13 nëntor të këtij viti. Forumi ka në Bordin Drejtues përfaqësuesit e disa OJQ-ve ndërkombëtare që kanë dalë në mbështetje të idesë së Serbisë për “spastrim paqësor etnik” të shqiptarëve në Kosovë dhe Luginë të Presheves – atë që Thaçi po e prezanton si normalizim i marrëdhënieve me Serbinë. Në Forum janë ftuar disa udhëheqës politikë, e është i ftuar edhe Vuçiqi, i cili do pritet me respektet më të larta. Mediat Serbe e kanë prezantuar pjesëmarrjen e Vuçiqit si mundësi për të zgjidhur “problemin” e Kosovës”, ka thënë Sveçla.

Ai këtë konferencë që pritet të mbahet në Francë, e ka lidhur me Konferencën e Paqes. “100 vite më vonë duan ta përsëritin në formën e një farse historinë tragjike të Konferencës së Paqes së Parisit, ku u nënshkrua Traktati i Versajës që i copëtoi tokat shqiptare. Neo-Nazisti që ka ideuar “alt-right” në ShBA, Richard Spencer, ka disa vite që flet për “spastrim etnik paqësor” në ShBA e në Evropë. I njëjti i është referuar Traktatit të Versajës si shembull i mirë i “spastrimit etnik paqësor”. Të njëjtin propozim për “spastrim etnik paqësor”, kësaj radhe për Kosovën dhe Luginën, e mbështeti dje në një artikull në New York Times edhe C.A.K që punon për OJQ-në “Council on Foreign Relation”, që është në Bordin e “Forumit të Paqes së Parisit”. Këta bëjnë sikur s’e dinë që ai traktat për “paqe” i dha hov nazizmit e fashizmit në botë, drejt Luftës së Dytë Botërore”, ka shtuar Sveçla.

Teksa ka rikujtuar historinë, Sveçla thotë se shqiptarët ishin ngritur për ta kundërshtuar ‘spastrimin’ e shqiptarëve, ndërkohë kujton edhe vrasjen e Esad Pashës nga Avni Rrustemi.

“Por shqiptarët e dinë shumë mirë se si u realizua spastrimi “paqësor” etnik i kombit tonë, në majë të bajonetave, gjatë Konferencës së Paqes së Parisit para një shekulli. Për t’i kundërshtuar vendimet e asaj konference, shqiptarët mbajtën Kongresin e Lushnjes, e rrëzuan qeverinë kolaboracioniste të Durrësit, rrokën armët e luftuan për lirinë e popullit në trevat shqiptare, dhe Avni Rrustemi e vrau Esad Pashën në Paris”, ka përfunduar Sveçla.

SHKARKO APP