Thaçi: Europa e pakompletuar pa Kosovën
Presidenti, Hashim Thaçi shkruan se Europa nuk do të jetë e kompletuar dhe e bashkuar pa Kosovën si pjesë të saj.
Këtë ai e lidh me lëvizjen e lirë dhe heqjen e vizave për qytetarët kosovarë, që sipas tij do të hapte prespektiva dhe mundësi të reja bashkëpunimi.
Më poshtë shkrimi i plotë i Thaçit në Facebook:
Afrimi dhe lidhja mes qytetarëve dhe bizneseve është interes i përbashkët strategjik i Kosovës dhe Bashkimit Europian, si aktor global dhe forcë transformuese.
Ndërtimi i urave dhe forcimi i komunikimit mes komuniteteve tona të ndryshme, sipas parimit “të bashkuar në diversitet”, kontribuon në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik, në forcimin e paqes dhe stabilitetit në tërë Europën.
Kontinenti ynë nuk do të jetë i kompletuar dhe i bashkuar pa Kosovën si pjesë të saj.
Liberalizimi i vizave, gjë për të cilën jemi angazhuar aq shumë dhe aq gjatë, do të hapë perspektivë dhe mundësi të reja bashkëpunimi dhe afrimi mes nesh. Gjithashtu, do të na mundësojë të përfitojmë më shumë nga MSA-ja dhe instrumente të tjera të cilat ofron ky rrugëtim.
Shpreh bindjen se puna dhe përkushtimi ynë serioz në kuadër të dialogut për liberalizimin e vizave do të vlerësohet në mënyrë afirmative dhe do të pikë-takohet me vullnetin e shteteve anëtare të BE-së, duke përmbyllur kështu këtë proces në mënyrë meritore dhe duke rilindur ndjenjën e përkatësisë për qytetarët e Kosovës, si europianët e rinj.
Merita për këtë sukses të përbashkët kanë të gjithë qytetarët e vendit, pa dallim.