Thaçi: Evropa e padrejtë me Kosovën dhe Shqipërinë
Alternativa e vetme që Kosova dhe Serbia të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian është nisja e menjëhershme e dialogut për zgjidhjen e problemeve të brendshme mes tyre, një herë e përgjithmonë.
Ky ka qenë qëndrimi i kreut të Shtetit të Kosovës Hashim Thaçi, gjatë fjalës së tij në Samitin e Paqes për Evropën Juglindore që mbahet në Tiranë.
Në lidhje me vendimin e BE-së për të mos hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe shtyrjen e liberalizimit të vizave me Kosovën, Thaçi e ka cilësuar atë si të padrejtë.
Ai deklaroi se të tilla gjëra duhet të marrun fund, pasi vendet e Ballkanit Perëndimor kanë vendin e tyre në BE. “Duhen zgjidhur të gjitha problemet që kanë shtetet tona mes vetes. Sa më parë të jetë e mundur të vazhdojnë bisedimet me Serbinë, me shtytjen e SHBA dhe BE, për marrëveshje gjithëpërfshirëse. Nuk kemi kohë për të humbur. Dialogu nuk ka alternativë, përkundrazi shpejton procesin e integrimit në familjen euro-atlantike”, deklaroi Thaçi.