Thaçi flet me zyrtarin e DASH, por nuk përmend kufijtë

Presidenti i Kosovës, Hashm Thaçi, ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një bisedë telefonike me ndihmëssekretarin e Shtetit të SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell. Thaçi ka deklaruar se me Mitchell ka biseduar për proceset politike nëpër të cilat po kalon Kosova. Por në bisedën e tij me Mitchell-in, presidenti siç duket nuk ka guxuar ta përmendë idenë e tij për shkëmbimin e territoreve. Ani se së fundmi Thaçi në çdo postim, por edhe përmes konferencave të përditshme, e ka elaboruar planin e tij dhe të Vuçiqit për ndarjen e Kosovës
Thaçi në postim ka shkruar se me Mitchell-in janë pajtuar që t’i intensifikojnë përpjekjet për të arritur marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë

“Ne u pajtuam që t’i intensifikojmë përpjekjet për të arritur një marrëveshje, e cila njëherë e përgjithmonë do t’i mbyllë armiqësitë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Një marrëveshje, e cila i hap rrugë njohjes reciproke dhe perspektivës së qartë të Kosovës për anëtarësim në NATO, BE, OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Ndihmës-Sekretari Mitchell u zotua se Kosova do ta ketë mbështetjen e palëkundur të SHBA-së në këtë proces”, ka shkruar Thaçi.

Tutje ai ka deklaruar se përfshirja e SHBA-së dhe partnerëve tjerë strategjikë të Kosovës në fazën e fundit të dialogut, të lehtësuar nga BE-ja.

“…është një garanci për suksesin e plotë dhe arritjen e një marrëveshjeje historike. Miqësia dhe besimi në SHBA-në do të jetë i përjetshëm”, ka shkruar ai.

SHKARKO APP