Thaçi: Garda Vullnetare Shqiptare nuk ekziston, e shpiku Kurti për t’i bërë presion Kushtetueses
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se ka kërkuar hetim për ‘Gardën Vullnetare Shqiptare’ dhe sipas të dhënave zyrtare ajo është vetëm fiktive.
Hashim Thaçi: “Unë nuk jam në garë si president me asnjë lider politik, e as me kryeministrin, është një nxitim nga ana e tij në formulimin e këtij postimi”. Unë jam konsultuar me të gjitha organet dhe instancat e sigurisë dhe mbrojtjes në Republikën e Kosovës, një organizatë e tillë nuk funksionon, pra është fiktive. Nga ajo që unë e kam pranuar, nga të dhënat zyrtare që unë i kam pranuar, nga instancat e shtetit të Kosovës më është thënë kështu”.
Thaçi beson se hetimi se kush qëndron prapa komunikatës së Gardës Vullnetare Shqiptare tashmë ka filluar, por ai e akuzoi Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje se qëndrojnë prapa kësaj komunikate.
Hashim Thaçi: “Hetimi ka filluar por t’i lëmë organet përkatëse që të punojnë. Kurti e din që diçka e tillë nuk ekziston, një kërcënim i tillë nuk ka ekzistuar, ai e di kush e ka sajuar, cili ka qenë mesazhi i këtij improvizimi, prandaj është një lojë e ulët politike nga ana e tij dhe e njerëzve të tij përreth, sepse gjithçka buron nga selia e partisë së tij dhe nga njerëzit përreth tij. Një dramë të tillë e ka sajuar personalisht ai për të krijuar një konfuzion, tension para vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe duke përmendur emra të gjykatësve, mendoj se është direkt një presion me pretendime kërcënimi ndaj tyre që të ju tregoj se ne e dimë kush po punon aty”.
Deklarata e Thaçit u bë në emisionin Rubikon në Klan Kosova.
Ditën e djeshme, kryeministri në detyrë i Kosovës deklaroi se është kërcënuar nga e ashtuquajtura Garda Vullnetare Shqiptare.
Kjo organizatë kishte thënë se kishte informacione se grupe të ndryshme të Vetëvendosjes do të organizonin protesta në Prishtinë, dhe paralajmëroi Kurtin dhe VV që të shqetësohen për sigurinë e tyre dhe të familjarëve të tyre.