Thaçi kërkon unitet të shqiptarëve në Maqedoni

Pas takimeve me bartësit kryesorë të institucioneve maqedonase në Shkup, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, vazhdoi takimet në Tetovë edhe me dy liderët e subjekteve politike shqiptare në Maqedoni.

Liderin e BDI-së, Ali Ahmetin, zëvendëskryeministri Thaçi e vizitoi në spitalin e Tetovës, ku ai është shtruar pas një aksidentit të rëndë automobilistik. Fillimisht, zëvendëskryeministri Thaçi  i uroi atij shërim sa më të shpejt.  “Shëndeti i politikës shqiptare në Maqedoni, ndërlidhet drejtpërdrejtë me shëndetin e Aliut”, deklaroi Thaçi.

Në këtë takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në dy vendet tona dhe zëvendëskryeministri Thaçi mori përkrahjen e plotë të liderit të BDI-së për nismat dhe projektet e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ndërkaq, në takimin me kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçin, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, theksoi mbështetjen e Kosovës për jetësimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit dhe nevojën e koordinimit dhe unifikimit të partive politike shqiptare për avancimin e të drejtave të shqiptarëve si popull shtet-formues i Maqedonisë.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Tash kur Maqedonia synon të integrohet në NATO dhe BE dhe ka përqafuar vlerat universale që përfaqësojnë këto institucione ndërkombëtare, çdo lloj diskriminimi duhet të bëhet pjesë e të kaluarës dhe e ardhmja duhet të bazohet në mirëkuptimin dhe harmoninë ndëretnike”, ka theksuar zëvendëskryeministri Thaçi.

Përveç takimeve me liderët e subjekteve politike shqiptare në Tetovë, zëvendëskryeministri Thaçi mori pjesë edhe në forumin e organizuar në Universitetin e Evropës Juglindore. “Zbatimi i plotë i marrëveshjes së Ohrit është i nevojshëm edhe për shpejtimin e integrimit Euro-Atlantik të Maqedonisë, i cili është proces dobiprurës për gjithë rajonin”, ka thënë ai para shumë studentëve që ishin mbledhur për të ndjekur ligjëratën.

Gjatë ditës, zëvendëskryeministri Thaçi është takuar me presidentin e Republikës së Maqedonisë, George Ivanov, me kryeministrin Nikola Gruevski dhe ministrin e Jashtëm, Nikola Poposki.

Vizita e tij në Maqedoni, vjen vetëm pak ditë, pasi zëvendëskryeministri Thaçi zhvillojë vizita zyrtare në Shqipëri dhe Mal të Zi.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?