Thaçi: Kosova të jetë pjesë e inisiativave ndërkombëtare

Ministri i Jashtëm i Kosovës Hashim Thaçi gjatë punimeve të takimit informal të Ministrave të Punëve të Jashtme, të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Juglindore (SEECP), kërkoi nga homologët dhe kolegët e vendeve pjesëmarrëse që të përkrahin përfshirjen e Kosovës në organizata dhe iniciativa të tjera të rëndësishme ndërkombëtare.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Thaçi thekson se “sot mora pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, i cili është forumi më i rëndësishëm i bashkëpunimit tonë rajonal.

Në një atmosferë të ngrohtë e miqësore, të pranishmit diskutuan për hapat e mëdhenj të ndërmarrë për të arritur një nivel sa më të lartë të bashkëpunimit në rajon”.

“Gjatë fjalimit tim prezantova arritjet e Kosovës në këtë përvjetor të shtatë të pavarësisë dhe theksova vendosmërinë e vendit tonë për të bërë përpjekjet maksimale në kultivimin e një fqinjësie sa më të mirë në rajon.

Gjithashtu, kërkova nga homologët dhe kolegët e vendeve pjesëmarrëse që të përkrahin përfshirjen e Kosovës në organizata dhe iniciativa të tjera të rëndësishme ndërkombëtare”, shprehet Thaçi.

SHKARKO APP