Thaçi lule te lapidari i të vrarëve serbë: Kurrë më!
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është përkulur dhe ka vënë kurora lulesh pranë lapidarëit të serbëve të vrarë në luftën e Kosovës.
Ai ka shpërndarë sot fotografi duke u përkulur pranë lapidarit të disa të rinjve serbë të vrarë në Gorazhdec, 14 vite më parë.
Ja postimi i Hashim Thaçit në facebook:
“Askush nuk do të mund të vrasë të ardhmen, lojën dhe gëzimin e fëmijëve të Kosovës.
Sot vura kurorë lulesh në këtë memorial për të përkujtuar sulmin kriminal kundër të rinjve të fshatit Gorazhdec, 14 vite më parë, në të cilin u vranë dy të rinj e u plagosën katër të tjerë.
E drejta për jetë është e drejtë fundamentale për të gjithë.
E tillë do të duhej të ishte edhe për rreth 400 fëmijë shqiptarë nën moshën 15 vjeç që gjatë luftës u vranë nga shteti i Serbisë.
Ndërkaq, këta fëmijë këtu u vranë nga dora kriminale e jo nga shteti.
Këta fëmijë këtu u vranë e u plagosën duke luajtur, por zotohem se nuk do të ketë forcë e as dorë kriminale që do të vrasë të ardhmen, lojën dhe gëzimin e fëmijëve të Kosovës.
KURRË MË!
Prandaj, sot LUTEM dhe shpreh edhe një herë keqardhje për të gjitha viktimat gjatë dhe pas luftës, të të gjitha komuniteteve.
Do të punojmë që çdo krim të zbardhet dhe të ndëshkohet.
Krimi është krim kundër kujtdo qoftë të jetë bërë apo nga kushdo qoftë që është kryer.
Gjithashtu, edhe një herë insistoj që të zbardhet fati i te gjithë të zhdukurve, qofshin shqiptarë, serbë apo romë apo çfarëdo komuniteti tjetër.
Të gjithë kemi përgjegjësi të punojmë në këtë drejtim.
Kemi përgjegjësi para familjeve te tyre dhe së ardhmes së fëmijëve tanë.
Ne duhet ta ndihmojmë njeri tjetrin.
Sot, kur po punojmë për të ndërtuar paqe, për pajtim dhe bashkëpunim në mes të popujve të rajonit, është e rëndësishme të theksojmë se për pajtim të sinqertë është e nevojshme drejtësia.
Pajtimi në mes shqiptarëve dhe serbëve është i mundur dhe do të ndodhë.
Ky hap do të thotë paqe për rajonin. HTH”.