Thaçi-Minxhozi: Forcim i bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovës, Qemal Minxhozi, me të cilin diskutoi për hapat konkretë për thellimin e bashkëpunimit mes shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë.

Gjatë takimit, Thaçi dhe Minxhozi biseduan veçanërisht lidhur me përgatitjet për takimin e radhës së dy qeverive që do të mbahet më 3 qershor, në Prishtinë.

“Folëm edhe për prioritetet tona të përbashkëta në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani, posaçërisht për zhvillimin ekonomik përmes turizmit”, tha Thaçi.

Sipas tij, bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri do të rritet dhe do të forcohet edhe më shumë në të ardhmen.

Kreu i shtetit kosovar theksoi edhe përkushtimin për një fqinjësi të mirë, për një rajon të paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit si dhe për harmonizimin e përpjekjeve të përbashkëta për integrimet euroatlantike, që edhe Kosova, sa më shpejt të jetë e mundur, të sigurojë liberalizimin e vizave tani që ka përmbushur të gjitha kriteret dhe standardet.

“Në ditët e ardhshme presim edhe vendimin pozitiv nga Brukseli, ndërsa po vazhdojmë të punojmë që sa më parë të bëhemi pjesë e programit Partneriteti për Paqe të NATO-s, e gradualisht, bashkërisht të afrohemi në familjen e madhe në Bruksel, si Kosova e Shqipëria, ashtu edhe i gjithë rajoni”, theksoi presidenti Thaçi, i cili përsëriti se institucionet e Kosovës mbeten të përkushtuara për reformat e gjithmbarshme në vend.

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, tha se “presidenti Thaçi ka qenë një inkurajues i madh i të gjitha nismave dhe i gjithë bashkëpunimit që ekziston midis dy vendeve gjatë viteve të kaluara dhe në vazhdim.

“Gjeta mirëkuptim të plotë për të gjitha temat që diskutuam për një thellim të vazhdueshëm të bashkëpunimit institucional, bashkëpunimit shpirtëror, që si Shqipëria, ashtu edhe Kosova të jenë pjesë e familjes evropiane nëpërmjet reformave që qeveritë e dy vendeve kanë ndërmarrë”, tha ambasadori Minxhozi, i cili u shpreh besimplotë që zhvillimi ekonomik do të njohë rritje më të mëdha.

SHKARKO APP