Thaçi: Mos liberalizimi i vizave, përgjegjësi e institucioneve të Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një postim në rrjetin social Facebook u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që pa humbur kohë të ndërmarrin veprimet dhe vendimet e domosdoshme për të përmbushur kriterin e fundit të mbetur për liberalizimin e vizave, duke aluduar në marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

Ai thotë se përderisa shtetet fqinjë, shumë vite më parë kanë thyer izolimin dhe qytetarët e tyre lëvizin pa viza në zonën Schengen, kanë mbetur vetëm kosovarët që të dëshpëruar ende presin t’i japin fund izolimit.

Në këtë drejtim, Thaçi ka shtuar se përgjegjësia për këtë realitet të hidhur nuk është vetëm tek institucionet e BE-së, por në shkallë të konsiderueshme edhe tek institucionet e Kosovës.

Postimi i plotë i presidentit Thaçi në Facebook:

Kosova, si shteti më pro-evropian në Ballkanin Perëndimor, vazhdon të mbetet shteti më i izoluar në Evropë.

Përderisa shtetet fqinjë, shumë vite më parë kanë thyer izolimin dhe qytetarët e tyre lëvizin pa viza në zonën Schengen, kanë mbetur vetëm kosovarët që të dëshpëruar ende presin t’i japin fund izolimit.

Përgjegjësia për këtë realitet të hidhur nuk është vetëm tek institucionet e BE-së, por në shkallë të konsiderueshme edhe tek institucionet e Kosovës.

Ne nuk guxojmë të lejojmë që kjo situatë turpëruese të vazhdojë në pafundësi.

Prandaj, në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, ftoj institucionet tona përgjegjëse që pa humbur kohë të ndërmarrin veprimet dhe vendimet e domosdoshme për të përmbushur kriterin e fundit të mbetur për liberalizimin e vizave.

Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të koordinohen dhe me prioritet ta përmbushin këtë kriter për liberalizimin e vizave në ditët në vijim, në të kundërtën qytetarët kanë plotësisht të drejtë të jenë të zhgënjyer dhe dëshpëruar.

SHKARKO APP