Thaçi ndërhyri te Erdogan për lirimin e dy agjentëve
Dy zyrtarë të lartë të AKI-së ishin arrestuar nga autoritetet turke me të dalë nga Aeroporti i Stambollit, në tetor të vitit të kaluar.
Barlet Gashi, drejtor i operacioneve në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, dhe Driton Fetahu, drejtor i analizës, kishin hyrë në Turqi në mënyrë të paligjshme në kohën kur pritej kthimi i të miturit Erion Zena nga Siria, shkruan të mërkurën “Koha Ditore”.
Kthimin e tij e kishte marrë përsipër Fitim Lladrovci, me kusht që kur të vinte Kosovë të kishte lehtësira në procedurën penale.
AKI-ja nuk ishte e implikuar në këtë rast, por kishte ndërhyrë për ta marrë atë si operacion të saj. Ligji për AKI-në ndalon veprimet e këtij shërbimi jashtë territorit të Kosovës.
Katër burime të ndryshme, në kushte anonimiteti, i kanë treguar “Kohës Ditore” se dy zyrtarët e lartë të AKI-së kishin shkuar në Turqi si të dërguar të ish-drejtorit, Bashkim Smaka, pa autorizim të kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçi.
Thaçi ishte detyruar të ndërhyntete Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili kishte bërë të mundur lirimin e tyre.
Tre zyrtarët e përfshirë në këtë incident nuk janë më në pozicionet e tyre.