Thaçi në Berlin, për liberalizim të vizave dhe bashkëpunim ekonomik
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, me ftesë të homologut të tij gjerman, Frank-Walter Steinmeier, për dy ditë radhazi do të qëndrojë në Berlin. Në fokus të axhendës së tij gjatë qëndrimit në Berlin janë mundësitë e thellimit të bashkëpunimit bilateral, zhvillimi i Kosovës dhe bashkëpunimi rajonal e ndërkombëtar.
Në ditën e hënë, në dy komisione të ndryshme, zëvendëskryeministri Thaçi do të takojë një numër të madh të deputeteve të Bundestagut të të gjitha subjekteve politike gjermane, nga të cilët do të kërkojë mbështetje për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj, ka vendosur të dielën në Kuvendin e Punës që më 21 mars të këtij viti të fillojë zgjedhjet brenda partisë.
Ndërkohë, Ramush Haradinaj tha se këto zgjedhje dhe ndryshimet në parti, po bëhen për të ndryshuar gjendjen në vend, e cila sipas tij është rënduar shumë nga udhëheqësit aktual.
“Qytetari i Kosovës, votuesi, qoftë ai i PDK-së, LDK-së, i cilës do parti, sot nuk ndihet krenarë, nuk jeton me dinjitet ashtu siç i kanë thënë dikur. Nuk e heton që është në mision të ri, nuk e heton që është në sloganin numër një “Ne mundemi”, por, e heton se është i dorëzuar në mëshirën e fatit se çfarë do t’i ndodh atij sot, nesër e ditëve që vijnë”, tha Haradinaj. Sipas kreut të AAK-së, për të dalë nga kjo gjendje, politikanët duhet ta kuptojnë realitetin dhe të bëhen të sinqertë me qytetarët. Ai tha se Aleanca është e vetëdijshme që i duhet kohë për t’i dalë ballë kësaj situate. “Ne duhet me aftësua vetën, me zhvillu vetën që ta ndryshojmë këtë gjendje. Aleanca nuk i duhet vetëm anëtarëve të saj, atyre që janë besnik që 15 vite, që nuk kanë lëvizur asnjëherë. Aleanca i duhet njeriut të Kosovës, femër, mashkull, i ri, i moshuar, i punësuar, i papunësuar, student e kudo që është”, shtoi kreu i AAK. Në Kuvendin e saj të Punës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka miratuar disa ndryshime në statutin e partisë, përmes të cilave synohet menaxhimi më efikas dhe lehtësimi i procedurave zgjedhore brenda partiake./TCh