Thaçi në Hagë, Haxhiu: Avioni special, i parkuar prej dy ditësh
I akuzuar për krime lufte, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqjen për t’u paraqitur pranë Gjykatës Speciale. Bashkë me të drejt Hagës janë nisur edhe dy ish-eksponentë të tjerë të UÇK, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
I ftuar në emisionin “Opinion” gazetari Baton Haxhiu tha që në fillim të fjalës së tij, se ajo çfarë i bën më shumë përshtypje janë datat 4 qershor dhe 4 nëntor, të lidhura me zhvillime të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Dy gjëra që më bëjnë përshtypje, janë dy data: 4 Qershor dhe 4 Nëntor. Dy data që kanë lidhje me zhvillimet në SHBA. Kur po mbahen zgjedhjet në SHBA, krerët kryesorë të Kosovës bastisen”, u shpreh Haxhiu.
Ai tha se ky veprim ishte paralajmëruar që pas datës 15 Tetor.
“Ka qenë e paralajmëruar që pas datës 15 Tetor, që aktakuzat do të vijnë për të gjithë liderët, për arsye se Presidenti i Kosovës në fund të tetorit, ka kërkuar nga Gjykata Speciale amendamentimin e kushtetutës së Kosovës për t’ja dhënë mandatin e dyfishtë dhe gjykata speciale e ka refuzuar këtë”, tha Haxhiu.
Gazetari pohoi se avioni special me të cilin kanë fluturuar drejt Hagës tre liderët e UÇK, ka qenë i parkuar në Kosovë prej dy ditësh.
/Opinion.al