Thaçi në OKB: Lufta e Serbisë, një fashizëm i pastër

I ashpër është treguar zëvendës-kryeministri Hashim Thaçi, ndaj deklaratave të homologut të tij serb në lidhje me spastrimin etnik që po bëhet ndaj serbëve në Kosovë.

Thaçi i ka thënë Daçiçit se ka qenë Serbia dhe ushtria e këtij shteti që ka bërë krime në Kosovë, që ka shkatërruar mbi 300 objekte fetare, që ka djegur mbi gjysmën e Kosovës në vitet 98-99., që ka larguar dhunshëm mbi 1 milion qytetarë të Kosovës.

Këto të gjitha sipas Thaçit janë spastrim etnik ndaj shqiptarëve dhe për këtë Kosova nuk do të rrijë duarkryq por do të ngrejë padi.

“Ju do të vazhdoni luftën se e keni zakon por prapë do ta humbisni”, ka thënë Thaçi gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit.

Zëvendës-kryeministri dhe njëherit Ministri i Punëve të Jashtme Hashim Thaçi në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, ka folur për krijimin e Gjykatës Speciale dhe luftën që është bërë në Kosovë.

Duke rikujtuar krimet që janë bërë në Kosovë gjatë vitit 98/99 nga shteti i Serbisë, Thaçi ka thënë se Kosova nuk do të lejojë që Gjykata të barazojë krimet gjenocidiale të Millosheviqit të shtetit të Serbisë, me veprimet e dëshpëruara eventuale të individëve të komunitetit të shtypur, të kryera gjatë ose pas luftës.

“Tashmë kanë kaluar shtatëmbëdhjetë vjet që nga fillimi i luftës në Kosovë në vitin 1998. Ju mund të mbani mend se rezistenca jonë ishte një rast i vërtetë i Davidit që luftonte Goliatin. Më lejoni të them zonja presidente se nuk ka kosovar, përfshirë këtu edhe veten time, i cili do të qëndrojë duarkryq dhe të lejojë që Gjykata Speciale të barazojë veprimet gjenocidale të Sllobodan Millosheviçit, të shtetit të Serbisë, me veprimet të dëshpëruara eventuale të individëve të komunitetit të shtypur, të kryera gjatë ose pas luftës.

Lufta e Serbisë kundër Kosovës është bërë me përfshirjen e ushtrisë, policisë dhe njësiteve paraushtarake dhe është mbështetur edhe nga intelektualët serbë. Thjesht dhe qartë kjo luftë e Serbisë ishte një fashizëm i pastër”, tha Thaçi.

Po ashtu, Thaçi tha gjatë fjalimit të tij se në Kosovë nuk do të lejohet që historia të rishkruhet për të turbulluar dallimin në mes të shtypësit dhe viktimës (të shtypurit). “Ne do të mbrojmë trashëgiminë e luftës sonë, lirinë e Kosovës dhe pavarësinë tonë”, ka thënë Thaçi.

SHKARKO APP