Thaçi në Podgoricë: Marrëdhëniet me Malin e Zi, shembull i mirë për rajonin

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka filluar sot vizitën e parë zyrtare në Mal të Zi, ku është  pritur nga përfaqësuesit me të lartë të këtij shteti. Fillimisht, ai është pritur në takim nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm dhe Integrimeve Evropiane i Malit të Zi, Igor Lukshiq. Të dy zëvendësministrat kanë biseduar për thellimin e bashkëpunimit bilateral dhe rajonal.

Zëvendëskryeministri Thaçi ka falënderuar z. Llukshiq për mbështetjen që Mali i Zi i ka dhënë Kosovës në forcimin e shtetësisë, fillimisht me njohjen e pavarësisë, më pas edhe në anëtarësimin në organizata të ndryshme rajonale. Thaçi ka theksuar nevojën e bashkëpunimit të ndërsjellë në agjendën e përbashkët euroatlantike, duke mbështetur anëtarësimin e plotë të Malit të Zi në NATO. Në këtë takim është biseduar edhe për projekte konkrete të bashkëpunimit mes dy shteteve.

“Republika e Kosovës dhe Mali i Zi kanë të njëjtin vizion për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian. Në këtë drejtim, ky anëtarësim është në interes jo vetëm të Malit të Zi, por edhe për sigurinë afatgjate të rajonit tonë”, ka shtuar ai. Në këtë takim dy zëvendëskryeministrat kanë biseduar për procesin e demarkacionit mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi dhe janë zotuar se do të përfundojë në këtë vit.

Zëvendëskryeministri Thaçi para shumë gazetarëve ka theksuar se do të ketë një intensifikim të takimeve të grupeve punuese për demarkacionin e kufirit. “Një marrëveshje e tillë do të ishte një dëshmi e marrëdhënieve shumë të mira mes shteteve tona dhe një mesazh i bashkëpunimit për tërë rajonin”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se procesi i demarkacionit të kufirit është edhe një përmbushje e vlerave evropiane. “Ne kemi një miqësi të hershme me popullin malazez, përpara se të ishim shtete. Prandaj, marrëdhëniet tona ndërshtetërore duhet të shërbejnë si shembull për rajonin, ka shtuar  zëvendëskryeministri Thaçi.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm dhe Integrimeve Evropiane të Malit të Zi, Igor Lukshiq ka përgëzuar zëvendëskryeministrin Thaçi për të arriturat në Kosovë. Ai ka thënë se Mali i Zi do të vazhdojë mbështetjen për Republikën e Kosovës në të gjitha fushat e bashkëpunimit, sidomos në shkëmbimin e përvojave që ndërlidhen me proceset euroatlantike.

“Me këtë  takim ne po vazhdojmë  marrëdhëniet e mira që ne i kemi ndërtuar. Vitin e kaluar ne kemi nënshkruar nëntë marrëveshje, derisa shumë te tjera janë në proces të nënshkrimit. Kusht për suksesin e integrimeve evropiane janë marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore”, ka shtuar ai.

Takimin e tij, zëvendëskryeministrin Thaçi e ka vazhduar me kryeministrin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, me të cilin ka biseduar për intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike dhe infrastrukturore mes dy shteteve. Me këtë takim zëvendëskryeministri Thaçi dhe kryeministri malazez Gjukanoviq janë pajtuar që të vazhdohet ndërtimi i rrugëve dhe linjave hekurudhore do lidhin dy shtetet. Kjo sipas tyre do të nxisë shkëmbimet tregtare mes dy shteteve dhe do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik.

Ata kanë biseduar edhe për gjendjen e shqiptarëve në Mal të Zi.  Zëvendëskryeministri Thaçi ka theksuar se shqiptarët në Mal të Zi dhe malazezët në Kosovë janë urë lidhëse mes dy shteteve dhe ka paralajmëruar se shumë shpejt komuniteti malazez do të jenë pjesë e mbrojtës kushtetuese në Republikën e Kosovës.

Më pas, zëvendëskryeministri Thaçi është takuar edhe me presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviq, me të cilin ka biseduar për marrëdhëniet mes dy shteteve. Zëvendëskryeministri Thaçi është pritur në takim edhe nga kryetarin e parlamentit, Ranko Krivokopiq, me të cilin ka biseduar për intensifikimin e bashkëpunimit në mes dy parlamenteve tona. Po ashtu edhe për interaksion më të madh të diplomacisë parlamentare. Zëvendëskryeministri Thaçi gjatë qëndrimit në Podgoricë është takuar gjithashtu me përfaqësuesit kryesore të bizneseve malazeze, ku ka kërkuar më shumë shkëmbim tregtar mes bizneseve kosovare dhe atyre të Malit të Zi. “Ne kemi krijuar lehtësira për investimet e huaja, prandaj dëshirojmë të shohim më shumë investime të bizneseve malazeze në Kosovë dhe bizneseve kosovare në Mal të Zi”, ka thënë Thaçi në takim me 15 përfaqësues të bizneseve kryesore në Mal të Zi.

Ndërsa pasditen e vonshme, zëvendëskryeministri Thaçi do të takohet me përfaqësuesit kryesorë politik shqiptarë në Ulqin, me të cilët do të bashkëbisedoj për gjendjen aktuale të shqiptarëve si dhe avancimin e drejtave të tyre në Mal të Zi. Kjo është vizita e parë zyrtare e zëvendëskryeministrit Thaçi në këtë shtet fqinj dhe po përcjellët me një interes shumë të madh të Medieve dhe opinionit publik në Mal të Zi.

SHKARKO APP