Thaçi në Vjenë: Pa Ballkanin, Evropa nuk është e plotë
Gjatë fjalimit të tij, presidenti Thaçi ka thënë se këto diskutime janë burim të inspirimit të përpjekjeve për të qenë plotësisht pjesë e së ardhmes evropiane
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në Kongresin e Lëvizjes Panevropiane, ku bashkë me presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani dhe atë të Maqedonisë, Gjorge Ivanov kanë folur në një panel për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Në një njoftim nga Presidenca e Kosovës thuhet se gjatë fjalimit të tij para përfaqësuesve të shumtë shtetëror, diplomatë e përfaqësues të jetës publike austriake, presidenti Thaçi ka thënë se këto diskutime janë burim të inspirimit të përpjekjeve për të qenë plotësisht pjesë e së ardhmes evropiane.
“Jo vetëm gjeografikisht, por edhe përmes ndarjes së vlerave që e përcaktojnë kontinentin tonë. Nëse kthehemi mbrapa, shohim se zgjerimi i BE-së ka qenë njëra nga politikat më të suksesshme të BE-së. Ai i ka transformuar shoqëritë dhe vendet dhe i ka bërë ato të lira, demokratike, me prosperitet dhe me paqe”, është shprehur ai.
Duke theksuar se kjo është arsyeja e shtyrjes së proceseve që konsiderohen si të vështira, Thaçi shtoi se “Rruga për të arritur këtë qëllim është integrimi evropian. Njëlloj, sikurse BE-ja dhe kontinenti i Evropës nuk është i kompletuar dhe nuk mund ta realizojë potencialin e saj në aspektin e sigurisë, në mirëqenie dhe në vlera, nëse Ballkani Perëndimor mbetet jashtë saj.”
Ai gjithashtu shprehu përkrahjen e 95 për qind të popullit të Kosovës, në anëtarësimin e saj në BE dhe shtoi se “Këto ndryshime do të manifestohen në zhvillimin e secilit vend rreth prosperitetit ekonomik, sundimit të ligjit dhe institucioneve të qëndrueshme, por po ashtu edhe në aspektin e bashkëpunimit regjional dhe në tejkalimin e ndryshimeve të së kaluarës.”
Thaçi ka vënë në dukje se BE-ja duhet të mbetet e fokusuar në këtë pjesë të kontinentit dhe ka shtuar se edhe Kosova ka hasur përparime të mëdha, sidomos pas marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, e cila ka mundësuar krijimin e marrëdhënieve kontraktuale me BE-në.
“Por, prapë ne duhet të pranojmë se pa një normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, asnjëri nga dy vendet nuk do të mund t’i bashkohet këtij Unioni. Kjo edhe është arsyeja që ne jemi aq të përkushtuar në dialog për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, ka theksuar ai.
Ai gjithashtu ka folur për procesin e liberalizimit të vizave, duke theksuar se “Si rezultat i këtij trajtimi të padrejtë, kosovarët vazhdojnë të mbesin populli më i izoluar në Ballkan.”
Në fund, Thaç ka shtuar se sa më shumë të ketë angazhim të BE-së, aq më pak do të mbetet hapësirë për fuqitë më pak demokratike të huaja dhe kërcënime të radikalizmit.