Thaçi: Nuk i marr askujt leje për të vizituar veriun

Në një konferencë të posaçme një ditë pasi vizitoi pjesën veriore të Kosovës, respektivisht pikën kufitare në Bërnjak dhe  liqenin e Ujmanit, Presidenti Hashim Thaçi tha se nuk i ka kërkuar dhe as nuk i kërkon askujt leje për vizita të tilla në territorin e Kosovës.

Kreu i Shtetit të Kosovës ishte i qartë kur tha se janë  vizitorët nga Serbia që duhet të kërkojnë miratimin e institucioneve të Kosovës për të vizituar territorin e këtij shteti.

Thaçi: Dje kam vizituar veriun e Kosovës dhe do ta vizitoj përsëri sa herë që e shoh të nevojshme dhe që planifikoj në axhendën timë shtetërore.Kurrë nuk kam marrë leje, as do të marr leje apo aprovim nga akush për një gjë të tillë. Kjo vizitë ka qenë shumë transparente.

Qytetarët e Kosovës dhe institucionet e Kosovës kanë të drejtë dhe janë krijuar rrethanat e lëvizjes së lirë në çdo cep të territorit të Kosovës. Ne Kosova jemi ata që japim leje të tjerëve që të vizitojnë Kosovën kur ne e shohim të arsyeshme. Leje duhet të kërkojnë vizitorët që vinë nga Serbia.

Qëndrimi im i djeshëm në veri të Kosovës, konkretisht në pikën kufitare në Bërnjak ishte vizitë në një pikë kufitare që funksionon në mënyrë krejt të rregullt.

Një ditë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se hyrja e forcave speciale të Kosovës, ROSU, ditën e shtunë në veri të Kosovës, përbën “sulm të armatosur banditësh”.

“Me hyrjen e njësive speciale ROSU në veri të Kosovës u kërcënua dhe sulmua paqja.Operacioni përfshiu 110 deri në 130 anëtarë të forcave speciale të Kosovës, të gjithë shqiptarë, që kanë zënë rrugë hyrëse dhe të gjitha objektet pranë Ujmanit, duke keqtrajtuar brutalisht disa persona dhe duke mbajtur peng katër”, tha Vuçiç.

Njësitet speciale të Kosovës ishin të shtunën në veri në përcjellje të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili vizitoi vendkalimin kufitar Bërnjak dhe Liqenin e Ujmanit.

https://www.facebook.com/Ora.News.RTV/videos/1787041901408831/?t=0

SHKARKO APP