Thaçi : Pamjet e migrimit trishtuese, por ikja do të ndalet

Gazeta prestigjioze gjermane “Bild”, me rastin e shtatëvjetorit të pavarësisë së Kosovës, ka realizuar një intervistë me zëvendësministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. “Bild” e quan zëvendëskryeministrin Thaçi hero të Kosovës së pavarur.

I pyetur rreth çështjes së emigrantëve ilegalë nga Kosovë që kanë mësyer vendet e Bashkimit Evropian, zëvendëskryeministri Thaçi tha se shumë qytetarë nga vendet e Ballkanit po kërkojnë mundësi më të mira në shtetet e BE-së.

Thaçi theksoi se Kosova pati një numër më të vogël të emigrantëve sesa Serbia apo Shqipëria më 2014, por në fillim të këtij viti është shënuar një valë e pashembullt e thashethemeve se Gjermania po u jep leje pune emigrantëve. “Këto spekulime të trafikantëve të njerëzve u japin shpresë të rreme qytetarëve dhe ne nuk kemi qenë mjaft azhur që të vërenim se çfarë po ndodhte. Pamjet e kosovarëve duke braktisur Kosovën janë trishtuese, por ne do të punojmë së bashku me Gjermaninë dhe partnerët e tjerë për të siguruar që ky fluks i papritur të ndalet. Ne jemi dëshmitarë të rënies se numrit të emigrantëve ilegalë ditëve të fundit dhe ne shpresojmë se Gjermania mund të fillojë t’i riatdhesojë qytetarët tanë në mënyrë që të tjerët të shohin se vendin e kanë në Kosovë”.

Zëvendëskryeministri Thaçi përsëriti se njerëzit presin një jetë më të mirë dhe mundësi punësimi. “Kosovarët janë në një pozitë të veçantë marrë parasysh se çereku i popullsisë sonë jetojnë në BE në mënyrë legale. Qindra mijëra kosovarë jetojnë në Gjermani, Zvicër e Skandinavi dhe bashkimi familjar për ata është i një rëndësie kyçe. Por, azilkërkimi nga ana e kosovarëve nuk është një zgjidhje sepse Kosova është një vend i sigurt dhe ka më pak krim për kokë banori sesa shumë qytete në Gjermani. Tranzicioni ekonomik dhe papunësia nuk mund të zgjidhen përmes emigrimit ilegal në Gjermani apo në vendet e tjera të BE-së”, tha ai.

Po ashtu, zëvendëskryeministri Thaçi u shpreh se njerëzit kërkojnë azil në vetëm 3 ose 4 vende të BE-së është se ato shtete kanë procedura të cilat u lejojnë emigrantëve të qëndrojnë për muaj të tërë deri në marrjen e vendimit përfundimtar. “Ne duhet të punojmë së bashku për t’i shkurtuar këto procedura dhe, nga ana tjetër, ne duhet gjithashtu të sigurojmë rrugën ligjore që të rinjtë të mund ta vizitojnë BE-në. Është absurde që shumica e të rinjve në Kosovë nuk kanë mundësi për të udhëtuar për në BE meqë neve ende nuk na është mundësuar liberalizimi i vizave. Banorët e vendeve të ndryshme që nga Molldavia e deri të Kolumbia mund të udhëtojnë pa viza për në BE, por kosovarët nuk e kanë këtë mundësi. Ne duhet ta zgjidhim këtë problem serioz në bashkërendim me partnerët tanë në Gjermani dhe BE”.

Thaçi tha se masat e ndërmarra nga Gjermania po i japin rezultatet e para.

“Ne po ashtu kemi ndërmarrë disa masa emergjente dhe shpresojmë t’i kthehemi normalitetit në javët e ardhshme. Kosova është një që u pavarësua vetëm 7 vite më parë. Para kësaj, kemi pasur një luftë të egër dhe kemi qenë të shtypur për më shumë se një shekull. Ne vetëm tani jemi në situatë për të ndërtuar ekonominë e duhur dhe për të konsoliduar shtetin. Rritja mesatare e vendit tonë në 7 vitet e fundit ka qenë 4%, ndërsa ne gjithashtu kemi ndërtuar 1,500 km rrugë dhe mbi 100 shkolla. Ne tani jemi në vlugun e punëve rreth disa koncesioneve në sektorin e energjisë dhe turizmit dimëror. Ne nuk mund të bëjmë mrekulli dhe njerëzit kanë humbur durimin në këtë periudhë të tranzicionit të dhimbshëm, por, nga ana tjetër, Kosova ofron më shumë mundësi për ata që më përpara duan të punojnë sesa të qëndrojnë duke mos bërë asgjë në ndonjë kamp të refugjatëve. Kosova nuk është e përkryer, por ne po bëjmë çmos për t’u siguruar mundësi qytetarëve tanë”.

Lidhur me papunësinë në vend, zëvendëskryeministri Thaçi theksoi se papunësia në Kosovë është në shkallë prej 30, por papunësia në mesin e të rinjve është shumë e madhe, deri në 60%. Kjo është fusha në të cilën duhet të punojmë më shumë.

“Kosova nuk është më e korruptuar ose më e pashpresë sesa vendet e tjera të Ballkanit. Nëse shkoni në Athinë, Beograd apo Sarajevë, do të gjeni rrëfimin e njëjtë: shumica e njerëzve, veçanërisht shtresa e mesme, ndihen të shtypur. Ndryshimi nuk do të vijë brenda natës. Është një rrugë e gjatë për të arritur nivelin e zhvillimit ekonomik të cilin qytetarët e presin”.

“Izolimi i kosovarëve nuk e rritë optimizmin në vend dhe është thellësisht i padrejtë”, tha Thaçi, duke shtuar se “Kosova e ka të vështirë të vazhdojë me përpjekjet për arritjen e standardeve të BE-së dhe për përmbushjen e agjendës evropiane në kohën kur BE e ka lënë Kosovës si shtetin e vetën në Evropën Juglindore qytetarët e të cilit nuk mund të udhëtojnë në Evropë pa viza”.

“E tërë Kosova është sa një lagje e Londrës dhe shumë njerëz ndjehen të frustruar që nuk mund të ndjekin nga afër ndonjë koncert në Berlin, t’i vizitojnë prindërit në Paris, apo të kenë ndonjë mundësi për arsim në Barcelonë. Ne shpresojmë të punojmë së bashku me Berlinin dhe Brukselin për krijimin e mundësive për kosovarë”.

Zëvendëskryeministri Thaçi tha se zhvillimi ekonomik dhe integrimet euro-atlantike janë çelës i suksesit të Kosovës.

“Emigrimi që e keni parë në javët e fundit nuk është rrëfimi i vetëm për Kosovën. Shumë njerëz po kthehen nga Perëndimi dhe po investojnë në shtetin më të ri të Evropës. Kam këshilltare të rinj dhe i shoh shumë biznesmenë të rinj që janë kthyer nga Gjermania për të investuar paratë e tyre në Kosovë. Ne kemi nevojë për BE-në për të mbajtur procesin e zgjerimit gjallë sepse nuk kemi asnjë rrugë tjetër përveç se te jemi pjesë e familjes evropiane dhe të NATO-s. Kosova përbën një rrëfim të një ndërhyrjeje të suksesshme ndërkombëtare më 1999, ndërhyrje kjo e cila ua solli lirinë kosovarëve nga regjimi i egër i Millosheviqit, por ajo që neve na duhet sot është qe i tërë Ballkani të ketë një zhvillim të hovshëm ekonomik, sikur tigrat aziatikë apo irlandezë dhe vendet e shteteve baltike. Mundësitë nuk do të jenë të pakta dhe besoj se procesi i iniciuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, për nxitjen e investimeve rajonale është një nga mënyrat më të mira për të jetësuar këtë vizion”, tha zv/kryeministri.
 

SHKARKO APP