Thaçi paralajmëron fazë të rrezikshme nëse nuk ka marrëveshje me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se arritja e një marrëveshjeje mes Serbisë dhe Kosovës është interes kombëtar për Kosovën. Në rast se kjo gjë nuk arrihet atëherë ai parashikon se rrezikojnë të destabiziohen jo vetëm dy shtetet por edhe rajoni.

“Nuk kam kurrfarë dyshimi që marrëveshja mund të arrihet këtë vit, marrëveshje ligjërisht obligative mes Kosovës dhe Serbisë, por nëse nuk ndodh, do të hyjmë në një fazë të rrezikshme të këtyre raporteve, e cila edhe mund të destabilizojë jo vetëm raportet tona si dy shtete, por edhe rajonin”, është shprehur ai.

Ai i ka bërë këto deklarata të hënën në konferencën “Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Thaci shtoi gjithashtu se gjendja aktuale e dialogut me Serbinë është në pikën zero.

“Fatkeqësisht situata dhe zhvillimet e fundit nuk janë aspak premtuese. Gjërat nuk po lëvizin fare dhe aktualisht jemi duke vendnumëruar, përkundër iniciativave të fundit për të zhbllokuar dialogun, rezultati është zero. Mungesa e dialogut dhe perspektivës për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, është rreziku ma i madh i mundshëm për sigurinë e stabilitetin për të dy vendet dhe rajonin”, ka shtuar Thaçi.

Në studimin që ka bërë Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) ka dalë se 32% e qytetarëve të Kosovës e kanë përkrahur ndryshimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Presidenti Thaçi ka ritheksuar që opsioni i korrigjimit të kufijëve, ka siguruar përkrahjen më të madhe të qytetarëve të Kosovës, përkundër asaj që ai e ka konsideruar fushatë negative të partive politike ndaj këtij skenari.

“Është për keqardhje që klasa politike kosovare po dështon që të bashkohet për bërë realitet idealin e bashkatdhetarëve tonë të Luginës së Preshevës Medvegjës dhe Bujanocit që t’i bashkëngjiten Kosovës”, ka thënë ndër të tjera presidenti i Kosovës.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë aktualisht është bllokuar pas vendosjes së taksës 100 për mallrat serbe në Kosovë. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç e ka quajtur taksën si arsyetim për mosvazhdim të dialogut.

SHKARKO APP